TIRANË, 26 maj 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje sfidat me të cilat përballet Shqipëria në zgjidhjen e çështjes së pronave, një temë që mbetet kyçe edhe në procesin e integrimit europian të vendit.
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencën rajonale “Nga Prona te Progresi”, ku morën pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Rama theksoi se transformimi digjital dhe teknologjia e re kanë qenë një ndihmë e madhe për vende si Shqipëria.
Sipas tij, teknologjia ka krijuar mundësi që më parë dukeshin të pamundura, duke i dhënë administratës një tjetër qasje ndaj së ardhmes dhe proceseve shtetformuese.
Duke u ndalur te problematika e pronave, Kryeministri deklaroi se Shqipëria është ndoshta vendi më i goditur në rajon për sa i përket cenimit të të drejtave të pronës, si pasojë e tranzicionit nga sistemi komunist me pronë totalisht shtetërore drejt një realiteti ku shteti humbi kontrollin mbi territorin pas viteve ’90.
“Gjatë 35 viteve të fundit na është dashur të përballemi me një material jashtëzakonisht kompleks, një nga sfidat më të thella që ka njohur shteti shqiptar”, u shpreh Rama.
Ai e cilësoi si “katastrofë të vërtetë” gjendjen e arkivës së pronave pas rënies së komunizmit, duke shtuar se vendi trashëgoi edhe një shtresë tjetër problematike: titujt e falsifikuar të pronësisë.
Sipas Ramës, zbërthimi i kësaj situate kërkon kompromise të vështira dhe vendime të dhimbshme, ndërsa evidentoi edhe raste abuzive të përvetësimit të tokave dhe hapësirave publike.
Kryeministri tha se ligji i ri për pronat u hartua në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe mori miratimin e Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Megjithatë, ai pranoi se problematikat vazhdojnë ende sot, pasi, sipas tij, disa gjyqtarë vijojnë të japin vendime duke iu referuar legjislacionit të vjetër, duke krijuar barrë shtesë financiare për shtetin.
“Situata mbetet komplekse, por po punojmë më fort dhe teknologjia e re po na ndihmon të trajtojmë çështje që ndryshe do të ishin të pamundura”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu rolin që mund të luajë inteligjenca artificiale në menaxhimin e të dhënave, por paralajmëroi se rezultatet varen nga saktësia e informacionit që i jepet sistemeve teknologjike.
Në fund, Kryeministri u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke e cilësuar ndërtimin e shtetit europian si pjesën më të vështirë të negociatave dhe të reformimit të administratës shqiptare.
Sipas tij, digjitalizimi i plotë i sistemit dhe përdorimi i teknologjisë “blockchain” do të ndihmojnë në shpëtimin dhe mbrojtjen e pronave të paluajtshme pas dekadash abuzimesh dhe problematikash me regjistrimin e tyre.

