“Maratona Rinore 2026” feston 30-vjetorin në Elbasan, Teatri “Skampa” bëhet shtëpia e talenteve të reja

ELBASAN,8 maj 2026/Albania Express News/Elbasani do të përjetojë për disa netë radhazi atmosferën e një prej aktiviteteve më të dashura artistike dhe rinore të qytetit. “Maratona Rinore 2026”, një traditë që këtë vit shënon 30-vjetorin e saj, do të rikthejë në skenën e Teatrit “Skampa” energjinë, talentin dhe pasionin e të rinjve elbasanas.

Aktiviteti pritet të mbledhë qindra të rinj nga shkollat e mesme të qytetit dhe zonave përreth, të cilët do të konkurrojnë në fusha të ndryshme artistike si kënga, kërcimi, recitimi, aktrimi, modelingu dhe prezantimi. Për organizatorët, kjo maratonë nuk është thjesht një garë artistike, por një festë e madhe rinore që promovon talentin, kulturën dhe kreativitetin e brezit të ri.

Netët konkuruese do të zhvillohen sipas një kalendari të ngjeshur artistik në Teatrin “Skampa”, duke nisur më 12 maj me Gjimnazin “Mahir Domi”, për të vijuar më 13 maj me Gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”, më 14 maj me Gjimnazin “Vasil Kamami” dhe më 15 maj me Gjimnazin “Ahmet Dakli”.

Maratona do të vazhdojë më 18 maj me Gjimnazin “Dhaskal Todri” dhe më 19 maj me Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. Ndërkohë, pjesë e aktivitetit do të jenë edhe nxënës nga Gjimnazi “Anastas Çakalli” i Kuqanit, Shkolla Profesionale Elbasan, Gjimnazi Gjuhësor “Mahmud & Ali Cungu” si dhe shkolla “Jonuz Çarçiu”.

Pas netëve eliminatore, emocionet do të kulmojnë më 20 dhe 21 maj me gjysmëfinalet, ndërsa nata e madhe finale do të zhvillohet më 25 maj, ku do të përzgjidhen talentet më të spikatura të këtij edicioni jubilar.

Në krye të organizimit të “Maratona Rinore 2026” qëndron Drejtori Ekzekutiv Kliton Kapaj, ndërsa udhëheqjen artistike e mban Edmond Rrapi. Një staf profesionist do të kujdeset për realizimin skenik të aktivitetit, me Ardit Sericën si drejtues orkestre, Denis Blacerin në koreografi, Marjo Elezin në regji, Helidon Gremi në konceptimin e ndriçimit dhe Ali Zenën si mjeshtër zëri.

Organizatorët kanë bërë thirrje që publiku elbasanas të jetë pjesë e kësaj feste të madhe artistike për të mbështetur të rinjtë dhe talentet e së ardhmes, në një aktivitet që prej tre dekadash ka nxjerrë në pah emra të rinj të artit dhe kulturës shqiptare.

“Maratona Rinore” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore për të rinjtë në Elbasan, duke ruajtur traditën dhe duke krijuar çdo vit një skenë të hapur për ëndrrat, pasionin dhe kreativitetin e brezit të ri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...