GOLEM ,8 maj 2026/Albania Express News /Në prag të nisjes së sezonit veror dhe fluksit të lartë të pushuesve në zonat bregdetare, Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm koordinues në Golem, në ambientet e hotelit Fafa Premium, në kuadër të mbledhjes së Komitetit Rajonal të Zhvillimit të Turizmit.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e sezonit turistik në të gjithë territorin e Qarkut Tiranë, ndërsa i pranishëm ishte edhe zv.ministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia.
Takimi u fokusua tek problematikat dhe sfidat kryesore që shoqërojnë sezonin turistik, me theks të veçantë tek menaxhimi i mbetjeve urbane, pastrimi i hapësirave publike, kufizimi i ndërtimeve gjatë sezonit veror, si dhe organizimi i trafikut dhe parkimeve në zonat më të frekuentuara bregdetare.
Prefekti Hajdari kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat përgjegjëse për të garantuar standarde më të larta shërbimi për qytetarët dhe turistët që zgjedhin bregdetin dhe zonat turistike të Qarkut Tiranë për pushimet verore.
Një nga çështjet më të rëndësishme të ngritura gjatë mbledhjes ishte forcimi i sigurisë publike dhe reagimi më i shpejtë ndaj problematikave gjatë sezonit. Në këtë kuadër, Prefekti theksoi domosdoshmërinë e krijimit dhe forcimit të qelizave policore pranë njësive administrative, përmes bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë Bashkiake dhe Policisë së Rendit.
Sipas tij, ky koordinim institucional do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë, menaxhimin më efikas të situatave problematike dhe garantimin e rendit publik gjatë muajve të verës, kur zonat turistike përballen me fluks të lartë vizitorësh.
Po ashtu, në fokus të diskutimeve ishte edhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe sinjalistikës në zonat turistike, me synimin për të shmangur problematikat e trafikut dhe për të lehtësuar lëvizjen e automjeteve dhe pushuesve gjatë pikut të sezonit.
Në funksion të përmirësimit të pastërtisë dhe mbrojtjes së mjedisit, Prefekti Hajdari paralajmëroi zhvillimin e një takimi të posaçëm me drejtues të komisariateve, strukturave zjarrfikëse, Policisë Bashkiake, kompanive të pastrimit dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ky takim do të ketë si synim rakordimin e masave konkrete për menaxhimin e mbetjeve, rritjen e eficiencës së shërbimeve të pastrimit dhe garantimin e një mjedisi sa më të pastër përgjatë gjithë sezonit turistik.
Në përfundim të takimit, Prefekti i Qarkut Tiranë theksoi se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë institucional mund të arrihen standarde të larta në shërbim të turizmit dhe të krijohet një imazh dinjitoz për çdo vizitor që zgjedh Shqipërinë dhe veçanërisht Qarkun Tiranë si destinacion veror.


