Rikthehet rivaliteti i vjetër Elbasani – Flamurtari, Gvozdenoviç: Synojmë tri pikët

Nga Vladimir Mema 

Nesër në orën 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”, skuadra e Elbasanit do të përballet me Flamurtarin, rivalin e vjetër nga dy  sezone më parë në Kategorinë e Parë. Pas një përgatitjeje intensive gjatë verës, verdheblutë synojnë një nisje të fortë të kampionatit, me qëllim që të shfaqin fuqinë dhe organizimin e tyre në fushë. Tribunat e “Elbasan Arenës” pritet të jenë të mbushura, duke krijuar një atmosferë elektrizuese që gjithmonë ka karakterizuar përballjet mes këtyre dy ekipeve. Për skuadrën, kjo sfidë nuk është thjesht një ndeshje e javës së parë, por një mundësi për të dhënë sinjalin e parë se Elbasani do të luftojë me të gjitha forcat për objektivat e sezonit.

GVOZDENOVIÇ – Në daljen e tij para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç tregon se skuadra ka punuar intensivisht dhe është e përgatitur për sfidën ndaj Flamurtarit. “Jemi të përgatitur për këtë ndeshje, pasi kemi bërë edhe fazën përgatitore. E respektojmë Flamurtarin si skuadër dhe presim një ndeshje të fortë. Ne kemi besim të plotë te vetja dhe mentalitetin për të fituar. Sa i përket lojës, kemi provuar disa sisteme dhe djemtë janë adaptuar shpejt. Nuk mund të them se me çfarë skeme do të luajmë, por ajo që ka rëndësi është se jemi gati”, shpjegon fillimisht trajneri.

RIKTHIMI I FLAMURTARIT – Rikthimi i Flamurtarit në Superiore është një lajm që e bën kampionatin më të fortë dhe më interesant. Gvozdenoviç vlerëson kontributin e skuadrës vlonjate në futbollin shqiptar dhe përgatitjen që ata kanë bërë. “Rikthimi i Flamurtarit është shumë pozitiv për futbollin shqiptar, sepse ata janë një emër i madh. E bëjnë kampionatin më interesant dhe kanë investuar shumë. Si kundërshtarë do presim pak të shohim sesi janë, por fokusi ynë është te vetja dhe te synimi për të fituar. Duke respektuar gjithnjë kundërshtarin, por më shumë respekt kemi për veten tonë dhe për atë që synojmë në këtë ndeshje”, thotë trajneri.

AFRIMET – Përforcimet e reja po japin sinjale pozitive dhe rrisin besimin e stafit teknik. Lojtarët e rinj kanë marrë pjesë në fazën përgatitore dhe po adaptohen me filozofinë e ekipit. “Kanë firmosur pesë lojtarë deri tani me ne. Jam i kënaqur me ta, sepse pothuajse të gjithë kanë filluar nga fillimi me ne duke bërë një fazë të plotë. Megjithatë, fusha do të jetë vendi ku do t’i tregojmë aftësitë e tyre, por deri tani kam marrë sinjale pozitive dhe kjo më bën optimist”, tregon Gvozdenoviç.

MESAZHI PËR TIFOZËT – Për trajnerin, mbështetja e tifozëve mbetet një faktor kyç për suksesin e skuadrës. Ai u shpreh falenderues për fansat që qëndruan pranë ekipit gjatë edicionit të kaluar dhe i ftoi të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe këtë sezon. “Mesazhi i parë për tifozët është një falenderim për mbështetjen e dhënë gjatë edicionit të kaluar. Ata qëndruan pranë nesh dhe na mbështetën gjithnjë. Ishte një vit i bukur dhe i vështirë, por tifozët nuk u dorëzuan kurrë. Edhe këtë sezon kemi nevojë për ta, sepse jemi më të fortë kur janë me ne dhe jam i sigurt që sërish do të na mbështesin në çdo sfidë”, përfundon trajneri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME