“Skënderbeu, George Washingtoni dhe shqiptarët e Amerikës në një dokument”

Shqiptarët kanë nisur të emigrojnë që në shekullin e 19-të drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fillim të shekullit të 20-të ata do të organizoheshin në rreth 150 shoqëri të cilat do të jepnin kontribut në organizimin e jetesës së emigrantëve shqiptarë, duke ndjekur shembullin e komuniteteve të tjera si ai italian apo grek.
Në vitin 1912, do të formohej federata “Vatra” që do të bashkonte në një organizëm të vetëm këto organizata. Roli i tyre ka qenë vendimtar në momentet më kyçe të shtetit shqiptar në shekullin ‘20.

“Dita e shpëtimit të Shqipërisë”

Nga ana tjetër, emigrantët do të luanin një rol të rëndësishëm edhe politik duke lobuar në bisedimet që bëheshin për kufijtë e Shqipërisë.
Për këtë qëllim, u vendos që të krijohej Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe të mobilizoheshin donacione për krijimin e një fondi 40 mijë dollarë(1 mln usd me vlerën e sotme) për të mbështetur këtë qëllim.
Komisioni i Vatrës do mblidhej në maj të 1917 për të përcaktuar të dielën e 3 qershorit e vitit 1917 si Ditën e shpëtimit të Shqipërisë. Komisioni do të miratonte njëzëri vendimin me disa pika:
-Të caktohet e diela e 3 qershorit si Dita e Shpëtimit të Shqipërisë për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej doktor Mihal Turtullit.
-Të ftohen të gjitha degët e federatës me anëtarët e tyre të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta dhe të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe të gjithë shqiptarët që të japin ndihmën e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut.
-Të ftohen gazetat dhe revistat shqipe që të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do të nderojë në sytë e botës dhe në sytë e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes Kombëtare
-T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me shumë mbi 10 dollarë nëse duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej doktor Turtullit dhe të bëhet një punë vërtetë serioze dhe me rëndësi.

Veç anës organizative, pika kryesore e programit me të cilin do të organizohej dhe do të vepronte Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë ishte “të sigurojë një Shqipëri me kufijtë e saj etnografike në Konferencën e Paqes dhe pas paqes të organizojë një parti kombëtare për të mbrojtur atdheun nga antikombëtarët dhe reaksionarët e brendshëm”.

Donacioni i parë dhe më i lartë do të ishte ai i Mihal Turtullit me 1000 dollarë. Thirrjes për të kontribuar do t’i përgjigjeshin mijëra emigrantë shqiptarë.
Fondi u mobilizua me dy pjesë dhe ky dokument tregon se si ka qenë certifikata që merrnin emigrantët shqiptarë që jepnin donacione.
Dokumenti ishte i ngjashëm me një letër me vlerë dhe mbante firmën e Kol Tromarës, kryetarit të Vatrës, të Goni Katundit që ishte arkëtar dhe Ndreko Stavrit që ishte sekretar.

Veç vulës së Vatrës, dokumenti mban imazhet e heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut dhe të themeluesit të shtetit amerikan dhe presidentit të parë George Washington.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...