Nga Shuaip Dushi ,Prishtinë
FUSHË KRUJË -Ishte një dëshirë e kahmotshme, e imja dhe e disa miqve të mi nga Kosova, për të vizituar vendin ku ka ndërruar jetë dhe ku prehet Heroina e Popullit, Shote Galica. Një udhëtim që duhej të ishte nderim, reflektim dhe përulje përpara sakrificës së një gruaje që i dha gjithçka atdheut.
E nisëm rrugën nga Prishtina drejt Fushë-Krujës, duke pyetur banorët për vendndodhjen e varrit të saj. Më në fund, e gjetëm ,pranë rrugës që lidh Tiranën me Shkodrën. Por ajo që pamë, nuk ishte thjesht zhgënjim. Ishte një plagë e hapur.Varri i Shote Galicës ishte duke u shkatërruar plotësisht.
I rrethuar nga ferra, driza, mbeturina dhe pluhur, ai duket më shumë si një vend i braktisur sesa si prehja e përjetshme e një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare. Nuk kishte asnjë shenjë kujdesi institucional, asnjë gjurmë respekti, asnjë lule. Vetëm heshtje dhe harresë.
Ne prisnim të gjenim një vend dinjitoz ,një pllakë mermeri, disa fjalë të gdhendura për jetën dhe veprën e saj, ndoshta buqeta lulesh nga vizitorë që e kujtojnë. Por realiteti ishte tronditës. Një heroinë e përmasave kombëtare, e lënë në mëshirë të kohës dhe neglizhencës.
Dikur, këtu vinin dhjetëra autobusë me nxënës dhe vizitorë, nga të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë. Sot, askush. Asnjë vizitor, asnjë ceremoni, asnjë kujtesë. Një heshtje që rëndon më shumë se çdo fjalë.
Është e pabesueshme që një figurë si Shote Galica – simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i krenarisë kombëtare të lihet në këtë gjendje. Ajo nuk është thjesht një emër historie. Ajo është një ndër gratë më të mëdha që kanë bërë histori në trojet shqiptare.
E lindur si Qerime Radisheva në Drenicë, ajo u rrit mes frymës së trimërisë dhe luftës për liri. Krahas bashkëshortit të saj, Azem Galica, ajo u bë pjesë e betejave më të rëndësishme për çlirimin e vendit. Pas vdekjes së tij, ajo mori drejtimin e çetës dhe vazhdoi luftën me vendosmëri të rrallë, duke u kthyer në simbol të rezistencës shqiptare.
Por fundi i saj ishte tragjik. Në vitin 1927, ajo u tërhoq në Shqipëri dhe jetoi muajt e fundit në varfëri të skajshme në Fushë-Krujë, ku edhe ndërroi jetë, vetëm 31 vjeç. E harruar atëherë… dhe, siç duket, e harruar edhe sot.
Rreth një çerek shekulli më parë, pati kërkesa nga atdhetarë të Kosovës që eshtrat e saj të zhvendoseshin pranë Azem Galica në Drenicë. Një kërkesë që, në dritën e kësaj gjendjeje të sotme, duket më aktuale se kurrë.
Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një varr. Bëhet fjalë për dinjitetin e kujtesës kombëtare.
Nëse nuk dimë të nderojmë ata që dhanë jetën për këtë vend, atëherë çfarë na mbetet?
Varri i Shote Galicës sot është një pasqyrë e dhimbshme e harresës sonë kolektive. Dhe kjo nuk është thjesht një neglizhencë ,është një turp që kërkon reagim të menjëhershëm .


