Fermeri nga Hardhia e Belshit që sfidon tregun” ,Qerim Elezi nga Dumreja shet domatet cilësore shumë më lirë se të gjithë dhe fiton zemrat e klientëve vendas e të huaj

 

NGA FATMIR POPJA

BELSH ,18 prill 2026/Albania Express News/Në një kohë kur çmimet e perimeve të stinës në Shqipëri kanë njohur rritje të ndjeshme, një histori ndryshe vjen nga zona e Dumresë. Qerim Elezi, fermer i njohur nga fshati Hardhi i Njësisë Administrative Fierzë, Bashkia Belsh, po kthen vëmendjen me një shembull të rrallë ndershmërie dhe përkushtimi ndaj konsumatorit.

Prej vitesh i dedikuar bujqësisë, Elezi ka ndërtuar një aktivitet të qëndrueshëm në kultivimin e perimeve të stinës dhe prodhimit në sera. Falë kushteve të favorshme natyrore dhe tokës pjellore të zonës së Dumresë ,një trevë me traditë të hershme bujqësore ,ai ka arritur jo vetëm sukses ekonomik, por edhe reputacion në rritje.

Por ajo që e veçon më shumë këtë fermer është filozofia e tij në treg. Ndërsa shumë prodhues kanë dyfishuar çmimet, Elezi ka zgjedhur të ndjekë një rrugë tjetër ,çmime të ndershme dhe të përballueshme për të gjithë.

“Kam mbjellë katër dynym me perime këtë sezon, ku pjesa më e madhe janë domate. Është sakrificë e madhe, por ia vlen. Prodhimi është i bollshëm dhe kërkesa e lartë. Por nuk mund të shes dy apo tre herë më shtrenjtë se sa vlen realisht. Kjo do të ishte abuzim,” shprehet ai.

Domatet e fermës së tij shiten me çmime që variojnë nga 190 deri në 220 lekë për kilogram, në varësi të cilësisë ,një vlerë që konsiderohet i pabesueshme në krahasim me çmimet në tregun aktual. Megjithatë, cilësia mbetet e lartë, madje sipas vetë fermerit, prodhimi i tij është i denjë edhe për eksport.

Edhe pse tregton dhe shet me pakicë dhe me me çmime më të ulëta, Elezi thekson se arrin të sigurojë një fitim të kënaqshëm, pa rënduar xhepat e konsumatorëve. “Nuk dua të fitoj duke i zënë frymën blerësve. Edhe mua më duhen të ardhura dhe çdo qindarkë , por jo duke e tepruar në kurriz të tyre,” shton ai.

Në qendër të Belshit, aty ku shet çdo ditë si tregtar ambulant, stenda e tij është kthyer në një pikë referimi për banorët dhe vizitorët. Klientët janë të shumtë: nga vendasit besnikë, deri te turistë nga qytete të tjera dhe madje edhe të huaj, të cilët mbeten të habitur jo vetëm nga shija e produkteve të Dumresë, por edhe nga çmimet e ulëta krahasuar me tregjet e mëdha si Tirana.

Historia e Qerim Elezit është më shumë se një histori suksesi në bujqësi ,është një model që dëshmon se ndershmëria, përkushtimi dhe respekti për konsumatorin mund të jenë po aq fitimprurës sa çdo strategji tjetër tregu. Në një realitet ku shpesh mbizotëron fitimi i shpejtë, ai zgjedh të ndërtojë besim afatgjatë.Por ai është i vetëm për momentin dhe zor se mund të gjesh të tillë gjëkundi tjetër që të mendojë me kaq zemërgjerësi për konsumatorin kur bëhet fjalë për cilësinë e shkëlqyer dhe çmim të arësyeshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME