Shqiptarët mund të jenë shumë shpejt pa karta fizike në duar, pasi qeveria po synon që identiteti të kalojë në pajisjet personale elektronike.
Ridepozitimi i projektligjit për identifikimin elektronik parashikon qartë krijimin e portofolit të identitetit digjital, një mjet që do t’u lejojë qytetarëve të identifikohen dhe të kryejnë shërbime online, si dhe kostot e nevojshme që do të kërkojë implementimi.
“Aktualisht, mungesa e një ligji të konsoliduar, që të përcaktojë rregulla të qarta për njohjen reciproke të skemave të identifikimit elektronik, funksionimin e portofolit të identitetit digjital në përputhje me përcaktimet e Bashkimit Evropian në këtë fushë si dhe njohjen ndërkufitare të skemave e të shërbimeve të besuara nxjerr në pah nevojën për miratimin e një kuadri ligjor që siguron identitet të besueshëm digjital për qytetarët, si dhe ndërveprueshmëri të plotë me sistemet dhe standardet evropiane”, thuhet nga Këshilli i Ministrave.
Përmes identitetit digjital, qytetarët do të mund të firmosin dokumente, të kryejnë aplikime dhe të verifikojnë të dhëna në mënyrë elektronike, me të njëjtën vlefshmëri ligjore si dokumentet fizike. Por ky transformim ka edhe një kosto të konsiderueshme për buxhetin e shtetit.
“Sipas përllogaritjeve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e këtij sistemi për 10 vitet e ardhshme pritet të kushtojë rreth 703 milionë lekë me TVSH, ose rreth 70 milionë lekë në vit. Kjo përfshin investime në teknologji, siguri dhe certifikime ndërkombëtare.”
Projektligji synon gjithashtu të përafrojë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian, duke mundësuar edhe njohjen ndërkufitare të identitetit elektronik.
Megjithatë, sfidat mbeten sipas projektligjit. Zbatimi kërkon kapacitete të larta teknike dhe investime të konsiderueshme, ndërsa mbrojtja e të dhënave personale mbetet një nga çështjet më të ndjeshme thuhet në dokument.

