Sot News24 rikthehet në ekranin tuaj pas 10 ditësh të vështira, ndoshta më të vështirat në historinë e News24. Për herë të parë që prej themelimit tonë, sinjali u ndërpre me forcë dhe punonjësit tanë u penguan të hynin në ambientet e punës. Ishte një ndërprerje e papritur, arbitrare dhe pa asnjë shpjegim zyrtar. Për 10 ditë, ky ekran i mungoi publikut shqiptar, ndërsa gazetarët dhe stafi i News24 u gjendën para një prove të rëndë – por nuk u dorëzuan.
Gjatë këtyre ditëve, ne kemi parë se sa e madhe është rëndësia e këtij ekrani për ju.
Qindra mesazhe, reagime e mbështetje nga qytetarë, shoqata të medias dhe partnerë ndërkombëtarë, si DASH, BE, OSBE, organizata nderkombetare te gazetareve dhe te drejtave te njeriut, organizata te shoqerise civile ne shqiperi etj na treguan qartë se News24 nuk është thjesht një televizion, por një hapësirë e domosdoshme për informacionin e lirë dhe të pavarur. Kjo mbeshtetje na motivoi qe ne nje kohe fare te shkurter, te paimagjinueshme per 2 dite, sipas premtimit që botuesi i medias bëri, të instalojmë teknologjinë dhe të rikthehemi në transmetim.
Sot, edhe pse në një ambient tjetër, me modest, ne rikthehemi me të njëjtin mision dhe me vendosmërinë për të mos lejuar që e vërteta të vdese. Këto ditë kanë qenë një kujtesë e fortë se liria e medias është e brishtë dhe se duhet mbrojtur çdo ditë. Ne u përballëm me një heshtje të detyruar, por sot rikthehemi më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për të qenë zëri i lajmit të besueshëm në Shqipëri.
News24 do të vazhdojë të jetë aty ku ndodhin ngjarjet, duke raportuar me profesionalizëm dhe paanshmëri. Falënderojmë nga zemra të gjithë ata që na qëndruan pranë, që ngritën zërin dhe që besojnë se fjala e lirë nuk mund të shuhet. Ky rikthim është për ju dhe falë jush.