Alarm për biodiversitetin: Ujku në prag kritik në Shebenik
Popullata e Canis lupus po shfaq shenja të forta rënieje në Parku Kombëtar Shebenik, duke ngritur alarmin për një nga grabitqarët kulmorë më të rëndësishëm të ekosistemit shqiptar.
Monitorimet e vazhdueshme të realizuara nga AlbNatyra, përmes metodës shkencore të kamerave kurth (camera-trap), tregojnë një prani gjithnjë e më të rrallë të ujkut gjatë viteve të fundit. Të dhënat e mbledhura, si nga organizata ashtu edhe nga stafi i parkut, përbëjnë një metodë jo-invazive dhe të besueshme për vlerësimin e pranisë, aktivitetit dhe strukturës së grabitqarëve të mëdhenj në ekosistem.
Presioni njerëzor dhe mungesa e gjahut
Sipas studimeve europiane, rënia lokale e popullatave të ujkut lidhet kryesisht me presionin njerëzor, reduktimin e gjahut natyror dhe mungesën e burimeve ushqimore si kaprolli, derri i egër dhe lepuri, si edhe me fragmentimin e habitateve malore. Kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Shebenik, por është raportuar në pjesë të ndryshme të Ballkanit.
Specialistët e jetës së egër nuk përjashtojnë as mundësinë e ndikimit të sëmundjeve që mund të kenë prekur popullatat lokale të kësaj specieje, duke e bërë situatën edhe më të ndërlikuar për t’u analizuar dhe adresuar.
Pragu kritik ekologjik
Ekspertët paralajmërojnë se rënia e evidentuar mund të jetë pranë një pragu kritik ekologjik. Si grabitqar kulmor, ujku luan një rol kyç në ruajtjen e ekuilibrit natyror, duke kontrolluar popullatat e barngrënësve dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e përgjithshëm të ekosistemit.
Në këtë kontekst, kërkohet:
- monitorim i vazhdueshëm shkencor,
- ruajtje dhe rikthim i korridoreve ekologjike,
- bashkëpunim i ngushtë me komunitetin lokal për mbrojtjen e habitatit dhe reduktimin e konflikteve njeri–faunë e egër.
Angazhim për mbrojtjen e grabitqarëve
AlbNatyra konfirmon se do të vijojë monitorimin shkencor për ruajtjen e grabitqarëve kulmorë dhe mbrojtjen e ekuilibrit natyror në Shebenik, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Prespa Ohrid Nature Trust, IUCN, WWF dhe The EUROPARC Federation.
Nëse trendi aktual vazhdon, paralajmërojnë ekspertët, mungesa e ujkut mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në strukturën e zinxhirit ushqimor dhe në biodiversitetin e zonës. Për këtë arsye, ndërhyrjet e koordinuara dhe masat parandaluese konsiderohen urgjente për të shmangur një humbje të pakthyeshme në një nga zonat më të rëndësishme natyrore të vendit.

