Këngëtari i mirënjohur grek Harry Varthakouris në skenën e Pallatit të Kongreseve me një koncert madhështor dhe bamirës në Tiranë në 6 Mars 2026 në orën 19:30

Më 6 Mars, ora 19:30, në Pallatin e Kongreseve, Tirana do të përjetojë një mbrëmje artistike të përmasave unike dhe magjike. Për herë të parë në Shqipëri vjen këngëtari i njohur grek Harry Varthakouris, në një koncert live mbi dy orë, që premton emocion, elegancë dhe një mesazh të thellë dashurie, respekti dhe mirënjohjeje për publikun shqiptar.

Ky koncert është jo vetëm një ngjarje muzikore, por një urë artistike që lidh dy kultura dhe dy popuj me histori e ndjeshmëri të përbashkëta. Arti dhe kultura kanë qenë gjithmonë pjesë e zhvillimeve shoqërore e sociale që kanë shoqëruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe kjo mbrëmje pritet të forcojë më tej miqësinë dhe respektin reciprok mes dy vendeve.

Harry Varthakouris është djali i ikonës së muzikës greke Yiannis Parios, prej të cilit ka trashëguar jo vetëm talentin dhe pasionin për muzikën, por edhe lidhjen e veçantë me publikun shqiptar. Karriera e tij nisi në vitin 1992, ndërsa në vitin 1995 publikoi diskun “Parea me ton Hari” në bashkëpunim me të atin. Me tre albume solo dhe një rrugëtim 30-vjeçar në skenën muzikore greke, ai është sot një emër i konsoliduar dhe i respektuar.

Gjatë viteve ka bashkëpunuar me disa nga figurat më të njohura të muzikës greke si Antonis Remos, Sakis Rouvas dhe Despina Vandi, duke ndërtuar një repertor të pasur me këngë që kanë lënë gjurmë në publik. Në Tiranë, ai do të sjellë hitet e bashkëpunimeve me të atin, si dhe krijimet më të spikatura nga albumet e tij ndër vite.

Një dimension i rëndësishëm i kësaj mbrëmjeje është qëllimi bamirës i koncertit. Një pjesë e të ardhurave nga shitja e biletave do të dedikohet për qëllime humanitare, duke i dhënë kështu artit jo vetëm vlerë kulturore, por edhe përgjegjësi sociale.

Një mbrëmje që premton emocion të pastër, muzikë cilësore dhe një mesazh të fuqishëm bashkimi përmes artit. Tirana është gati të mirëpresë një artist me vlera dhe një koncert që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e publikut shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME