Rrugëtimi mediatik i Ilmira Likës,30 vite gazetari në shërbim të fjalës shqip në Mal të Zi mes guximit, sakrificës dhe kujtesës historike

Tre dekada më parë, në janarin e vitit 1996, një vajzë 18-vjeçare hodhi hapat e parë në botën e medias, në një kohë kur hapësirat për zërin shqip ishin të pakta dhe sfidat të mëdha. Sot, gazetarja Ilmira Lika rikthen në vëmendje atë rrugëtim profesional, duke ndarë me publikun fragmente nga arkivi i saj personal dhe duke sjellë një pasqyrë të një historie që ndërthuret ngushtë me fatet, betejat dhe identitetin e shqiptarëve në Mal të Zi.Fillimet e saj lidhen me emisionin “Kronika e javës” në Radio Televizionin e Malit të Zi, e vetmja dritare mediatike në gjuhën shqipe në atë kohë. Vetëm 30 minuta në javë mjaftonin për të pasqyruar ngjarje nga viset shqiptare, për të sjellë muzikë shqip dhe për të prekur tema që shpesh mbeteshin në heshtje. Një kohë e shkurtër në ekran, por me peshë të madhe për komunitetin.Nga këto fillime modeste, Ilmira Lika ndërtoi një karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme në media, duke u ngjitur gradualisht deri në detyrën e drejtoreshës së përgjithshme të Radio Televizionit “Teuta”. Një rrugë e mbushur me punë intensive, sakrifica personale, por edhe kënaqësi profesionale, ku gazetaria u shndërrua në mision.

Një nga episodet më domethënëse të rrugëtimit të saj profesional lidhet me 28 Nëntorin 2016, kur programacioni ishte i dedikuar Festës Kombëtare. Për shkak të transmetimit të këngës “Albanian” nga Etno Engjujt, ajo u thirr për “raportim” dhe u përball me një dosje që parashikonte deri në 6 muaj burgim. Qëndrimi i saj ishte i prerë dhe dinjitoz, duke mbrojtur bindjen profesionale dhe lirinë e shprehjes, pa u tërhequr përballë presionit.

Për Ilmira Likën, media ka qenë ura që e ka lidhur me njerëz nga të gjitha trevat shqiptare, një mundësi për të kuptuar realitetet e jetës dhe për të qenë pranë problemeve të komunitetit. Me përkushtim të veçantë, ajo ka kontribuar në promovimin e figurës së gruas shqiptare, duke dëshmuar se profesionalizmi, korrektësia dhe sinqeriteti hapin dyer dhe ndërtojnë respekt afatgjatë.

Sot, pas 30 vitesh gazetari, ky rrugëtim mbetet jo vetëm një histori personale suksesi, por edhe një kapitull i rëndësishëm i memories mediatike shqiptare në Mal të Zi. Një histori e ndërtuar me dashuri për profesionin, me guxim për të thënë të vërtetën dhe me mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe miqtë që kanë qenë pjesë e kësaj rruge.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME