Debati për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal po deformohet qëllimisht. Gazetarët nuk po kërkojnë “legalizimin e shpifjes”. Ata po kërkojnë çlirimin e gazetarisë nga një armë presioni, e përdorur prej vitesh nga pushteti për të frikësuar, lodhur dhe heshtur zërat kritikë.
Sot, në Shqipëri, ka gazetarë seriozë, të mediave më të balancuara, që prej vitesh enden në dyert e prokurorive dhe gjykatave për padi penale për shpifje, vetëm sepse kanë thënë të vërteta që nuk i kanë pëlqyer “të fuqishmëve”. Procese të gjata, të kushtueshme, që marrin kohë, energji dhe fokus, duke i larguar nga misioni i tyre themelor: raportimi i së vërtetës. Edhe kur drejtësia u jep të drejtë, dëmi është bërë — vitet e humbura nuk kthehen më.
Ka gazetarë që sot përballen me procese penale për postime kritike, ironike apo satirike në rrjetet sociale. Kjo nuk është teori. Kjo është realiteti.
Ndërkohë, askush nuk po mohon të drejtën e kujtdo për t’u mbrojtur nga shpifja. Kjo e drejtë ekziston dhe duhet të ekzistojë në gjykatat civile. Aty ku dëmshpërblimi shkon për viktimën e pretenduar dhe jo për shtetin; aty ku drejtësia shërben për korrigjim, jo për frikësim.
Ndryshimi i miratuar së fundmi në Kodin Penal nuk i shpëton gazetarët nga ndjekja penale. Përkundrazi, ai është i pazbatueshëm dhe mashtrues. Kërkesa që gazetari të jetë “i regjistruar sipas ligjit” bie në vakum, sepse fatmirësisht nuk ekziston një ligj që i detyron gazetarët të regjistrohen diku. Kushti që gazetari të ketë bërë “çdo përpjekje për të zbardhur të vërtetën” është subjektiv dhe i pamatshëm. Dhe detyrimi për të fshirë shkrimin me kërkesë të palës së prekur është censurë e pastër, veçanërisht kur gazetari është i bindur për vërtetësinë e raportimit të tij.
Të tria këto kushte e bëjnë të pavlefshëm çdo pretendim për “amnisti” ndaj gazetarëve.
A duhen rregulla për profesionin e gazetarit? Po. Por jo nga shteti. Ditën kur qeveria jep apo heq licenca, tituj apo karta gazetari, liria e medias ka marrë fund. Historia e ka provuar këtë pa përjashtim.
E vetmja rrugë është vetërregullimi. Gazetarë të organizuar në struktura profesionale, mbi Kode Etike të qarta, që japin apo heqin anëtarësinë bazuar në standarde profesionale. Një sistem që ndëshkon shkeljet pa e kthyer shtetin në censor.
Europa e ka zgjidhur këtë çështje në mënyra të ndryshme. Italia ka zgjedhur modelin e “Ordine dei Giornalisti”, një ent i vetëmenaxhuar nga gazetarët, por nën mbikëqyrje institucionale. Ndërsa Britania e Madhe, Gjermania dhe vendet skandinave funksionojnë me Këshilla Medie dhe mekanizma vetërregullimi, pa licencim shtetëror. Atje, shkelja e etikës nuk të çon në burg, por të shkatërron kredibilitetin profesional — ndëshkimi më i rëndë për një gazetar.
Gazetaria nuk ka nevojë për pranga. Ka nevojë për standarde, integritet dhe liri.
Sepse gazetarët nuk kanë sport shpifjen ,ata kanë mision të vërtetën.

