Zjarret në Gramsh, djegia e bagëtive nga zjarret. Paralajmërohet rreziku i epidemive, fillon me urgjencë groposja

Nga Fatmir Popja

Zjarret që kanë përfshirë njësinë administrative Skënderbegas në bashkinë e Gramshit po përshkallëzohen nga ora në orë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe një emergjencë serioze shëndetësore.

Flakët, që kanë kaluar nga fshati në fshat, kanë shkaktuar deri tani një viktimë, 8 të lënduar, kanë shkrumbuar 39 banesa, kanë djegur sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe shkurresh, si dhe kanë rrënuar dhjetëra e qindra krerë bagëti që nuk arritën të shpëtonin nga përhapja e shpejtë e zjarreve.

Në këto kushte tejet të rënda, Ministria e Bujqësisë ka nisur groposjen emergjente të kafshëve të ngordhura, për të shmangur rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive.

Ekspertët paralajmërojnë se dekompozimi i trupave të kafshëve në temperatura të larta krijon një vatër serioze infeksioni, duke rrezikuar shëndetin e popullsisë së këtyre fshatrave.

Nëse nuk ndërhyhet me urgjencë, mund të shpërthejnë epidemi zoonotike, që kalojnë nga kafsha te njeriu.

Zjarret kanë hyrë tashmë në fshatin e tetë të kësaj njësie, duke çuar në përfshirjen e më shumë se 350 efektivëve të emergjencës, që po punojnë në terren me ndihmën e helikopterëve për nga ajri.

Përballja është e vështirë jo vetëm me flakët, por edhe me këmbënguljen e pazakontë të mjaft banorëve për të qëndruar në shtëpitë e tyre, ndonëse rreziku është evident. “Kryesorja është për banorët të ruajnë gjakftohtësinë. Apeli është të largohet edhe banori i fundit”, – u shpreh për mediat kryebashkiaku i Gramshit, Besjon Ajazi, duke konfirmuar se në raste të veçanta është dashur të përdoret edhe forca për të evakuuar banorët që refuzonin të largoheshin.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm, duke theksuar se prioriteti absolut është shpëtimi i jetëve njerëzore.

Banorët këshillohen të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të largohen drejt zonave të sigurta, për të shmangur humbje të tjera të jetës apo përkeqësim të gjendjes shëndetësore nga tymi dhe ndotja e ajrit.Apeli i ekspertëve është i formës urdhërore.

Groposja e kafshëve duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe në thellësi të përcaktuara nga autoritetet veterinare.

Të shmanget kontakti me kafshët e ngordhura për të mos rrezikuar infeksione.

Të monitorohen burimet e ujit, për të shmangur ndotjen nga mbetjet biologjike.

Banorët të paraqiten në qendrat shëndetësore nëse shfaqin shenja të sëmundjeve respiratore, ethe apo skuqje të lëkurës.

Situata në Gramsh është më shumë se një krizë fatkeqësie natyrore nga zjarri.

Gramshi është një emergjencë mjedisore dhe shëndetësore që kërkon koordinim të ngushtë mes institucioneve dhe bashkëpunim të plotë nga qytetarët.

Vetëm përmes veprimit të shpejtë dhe të organizuar mund të parandalojmë që kjo fatkeqësi natyrore të kthehet në një katastrofë të përmasave edhe më të mëdha.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME