Në 2-vjetorin e themelimit, akademia Sulova Sport numëron tashmë 64 djem të federuar dhe është në fazë përgatitore për krijimin e një ekipi me 10 vajza, duke treguar qartë vizionin për zhvillim të barabartë dhe afatgjatë.
Klubi ka disa ekipe aktive që marrin pjesë rregullisht në gara zyrtare, ndërsa bashkëpunimi me trajnerë profesionistë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë sportive dhe organizative, duke e kthyer Sulova Sport në një realitet serioz futbollistik në zonë.

Me rastin e këtij përvjetori, për herë të parë Sulova Sport u bë pjesë e projektit të FSHF-së “Uniforma Ime”, përmes të cilit të gjithë sportistët e akademisë u pajisën me nga një komplet uniformash sportive dhe çanta, një mbështetje konkrete për zhvillimin e futbollit bazë.
Në emër të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, sportistët dhe stafi u përshëndetën nga Ilirjan File, Kryetar i Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, i pranishëm së bashku me drejtorin teknik Eriol Merxha, të cilët vlerësuan punën dhe progresin e akademisë.

Një rol kyç në këtë histori suksesi ka pasur administratori dhe nismëtari i krijimit të akademisë, Gentian Ziu, i cili me vizionin, përkushtimin dhe punën e tij i ka dhënë një dimension të ri sportiv zonës së Sulovës.
Falë kësaj nisme, sot në këtë komunitet po rritet një brez i ri sportistësh, që jo vetëm mësojnë futbollin, por edhe vlerat e disiplinës, bashkëpunimit dhe pasionit për sportin.

Ky përvjetor dhe kjo mbështetje institucionale përbëjnë një hap të rëndësishëm përpara për Sulova Sport, duke shërbyer si motivim shtesë për sportistët e rinj dhe si një garanci për vazhdimësinë e zhvillimit të futbollit bazë në këtë zonë.


