Bashkia Elbasan: situata e qëndrueshme nga moti i keq, rrugët nën monitorim

Gjatë natës së të enjtes, situata nga kushtet e motit në zonat malore të Bashkisë Elbasan ka qenë e qëndrueshme dhe nën kontroll. Sipas njoftimit zyrtar, strukturat përgjegjëse kanë punuar gjatë gjithë natës, duke bërë të mundur që aktualisht të mos ketë zona të bllokuara nga dëbora, edhe pse në disa segmente trashësia e saj i kalon 30 centimetra.

Autoriteti Shtetëror i Hekurudhave dhe Punëve (ASHP) vijon punën në terren, me fokus kriposjen e rrugëve në të gjitha zonat e prekura nga reshjet.

Zonat ku ka prani dëbore mbeten: Gjinar, Gracen, Labinot Mal, Zavalinë dhe Funar.

Situata në akset rrugore paraqitet si më poshtë:

  • Aksi Elbasan–Gjinar është i kalueshëm normalisht, pa nevojë për zinxhirë, me temperaturë rreth 0°C.
  • Elbasan–Gracen po ashtu është i kalueshëm normalisht, pa zinxhirë, me temperaturë 1°C.
  • Elbasan–Funar është i hapur për qarkullim pa zinxhirë, por kërkohet kujdes i shtuar.
  • Në akset lidhëse drejt Korrës, Cërrunjës dhe Mollagjeshit zinxhirët janë të detyrueshëm, për shkak të temperaturave që zbresin deri në -1°C.
  • Aksi Elbasan–Labinot Mal dhe Elbasan–Zavalinë janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa temperaturat arrijnë deri në -3°C.

Për shkak të kushteve atmosferike, procesi mësimor është pezulluar në njësitë e sipërpërmendura dhe do të zëvendësohet ditën e shtunë, më 17 janar.

Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e strukturave përkatëse.

Në rast emergjencash, qytetarët mund të kontaktojnë numrat: 129 (Policia), 128 (Zjarrfikësit), 112 (Emergjenca e përgjithshme), si dhe shërbimin e ujësjellësit në numrat +355 68 641 6064 dhe +355 69 475 0333.

Bashkia Elbasan thekson se mbetet në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të komunitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME