Nga Vladimir Mema
Në tregun e Fruta–Perimeve të Elbasanit po zhvillohet një aksion i gjerë pastrimi dhe rikualifikimi, me qëllim që kjo hapësirë tregtare të ofrojë kushte sa më të mira për shitësit dhe qytetarët.
Prej disa ditësh, punonjësit e bashkisë dhe të ndërmarrjes së pastrimit po kryejnë pastrimin mekanik e manual të çdo këndi të tregut, heqjen e mbetjeve dhe dezinfektimin e plotë të sipërfaqeve.

Puna nuk ndalet vetëm te higjiena. Përveç larjes dhe dezinfektimit, po kryhet edhe lyerja e ambienteve dhe rregullimi i strukturave ndihmëse, me synim krijimin e një pamjeje më të rregullt dhe më tërheqëse.
Sipas burimeve nga Bashkia e Elbasanit, ky aksion është pjesë e një programi të vazhdueshëm për rikualifikimin e tregjeve të qytetit dhe garantimin e standardeve higjieno–sanitare.

Tregu i Fruta–Perimeve vizitohet çdo ditë nga qindra qytetarë dhe dhjetëra tregtarë të zonës, ndaj kujdesi për pastërtinë dhe dezinfektimin ka rëndësi të veçantë, sidomos në stinën e verës, kur temperaturat e larta e bëjnë menaxhimin e mbetjeve më të vështirë.
Qëllimi është që produktet të shiten në një ambient të pastër, të sigurt dhe pa rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Autoritetet vendore kanë deklaruar se aksione të tilla do të zhvillohen periodikisht, jo vetëm në tregun kryesor të qytetit, por edhe në tregjet periferike dhe zonat e tjera të shitjes me shumicë, për të ruajtur standardin e një qyteti të pastër dhe mikpritës.

