Tirana është një prej destinacioneve më të vizituara në rajon, duke tërhequr mijëra turistë të huaj nga e gjithë bota që zgjedhin kryeqytetin për të përjetuar festat e fundvitit.
Isabell Mathersx dhe Lydia Bright janë dy vajza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë të parën vizitë të tyren në vendin tonë.
Ato shprehen se Shqipëria është një vend i bukur, me njerëz mikpritës, ndërsa e etiketojnë Tiranën si një qytet ideal për të kaluar disa ditë pushimesh.
“Kjo është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Jemi këtu nisur nga kurioziteti, pasi kemi dëgjuar shumë të flitet për vendin tuaj. Na pëlqen kultura, tradita, ushqimi. Kemi vizituar qytetin e Beratit, kemi parë shpellën e Pëllumbasit në Tiranë, që ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ju keni shumë vende të bukura, por sidomos natyra është fantastike”, u shprehën ato.
Një tjetër grup prej tre të rinjsh, thanë për ATSH se kanë ardhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë nga Indonezia.
“Do të qëndrojmë këtu një javë dhe mezi presim të eksplorojmë Tiranën dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë”.
Gerjan Duri, udhërrëfyes i një kompanie turistike në Tiranë, teksa shoqëron një grup prej 37 turistësh izraelitë, shprehet se ka interes të shtuar dhe grupe të mëdha të huajsh që zgjedhin ta vizitojnë Tiranën, sidomos gjatë festave.
Ai tha se ky grup turistësh do të zhvillojë një tur pesëditor në Tiranë gjatë të cilit do të vizitojnë edhe Shkodrën, Beratin dhe Krujën.
“Sipas Durit, turistët shprehen të kënaqur me Tiranën dhe qytetet e tjera, veçanërisht gjatë periudhës së festave të dhjetorit. Ata vizitojnë pikat kryesore turistike dhe konsumojnë gatimet tradicionale.”
Tirana po konsolidohet si një destinacion i sigurt dhe mikpritës, ndërsa rritja e numrit të turistëve të huaj po e forcon profilin e kryeqytetit si destinacion turistik gjithëvjetor.

