Gvozdenovic para Vorës: “Jemi gati, por me këmbë në tokë”

Para sfidës së rëndësishme ndaj Vorës, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenovic, shprehet se skuadra vjen në një gjendje të mirë dhe me moral të lartë, ndonëse me mungesat e pashmangshme të Lilës dhe Diallos. Ai thekson se pjesa tjetër e ekipit është e gatshme dhe motivuar, ndërsa pret që ndeshja të tregojë realisht forcën e skuadrës në fushë. Sipas tij, përgatitja, qetësia dhe balanca emocionale janë elementët që i shoqërojnë para kësaj përballjeje.

Gvozdenovic ruan respekt maksimal për Vorën, duke kujtuar jo vetëm humbjen në ndeshjen e parë, por edhe formën e mirë të kundërshtarit në dy sfidat e fundit kundër Egnatias dhe Vllaznisë. Megjithatë, tekniku thekson se Elbasani do të përpiqet të bëjë lojën e tij dhe të kërkojë gjithmonë pikët maksimale. “Ne e respektojmë çdo kundërshtar, por do të bëjmë lojën tonë. Do të japim maksimumin dhe të synojmë të zhvillojmë një futboll të bukur. Fusha i tregon të gjitha,” u shpreh trajneri.

Sa i përket atmosferës në skuadër, Gvozdenovic nuk e mohon se rezultatet kanë sjellë një eufori të lehtë, por thekson se ajo është brenda normales dhe aspak e tepruar. “Jemi me këmbë në tokë, kampionati është i gjatë dhe i fortë. Ende nuk ka kaluar as gjysma e tij,” deklaroi ai, duke shtuar se skuadra nuk është aspak euforike në kuptimin negativ të fjalës. Mbrojtja, aktualisht më e mira e kampionatit, sipas tij është një element kyç në suksesin e deritanishëm: “Jam krenar për skuadrën dhe sigurisht i kënaqur me këtë repart.” Ndërsa për objektivin e të qenit kampion dimri, ai mbetet i rezervuar: “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës. Ambicia nuk na mungon, por nuk flasim për tituj në këtë fazë.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME