Qeveria sjell ligjin më të fortë të viteve të fundit për PPP-të: Ibrahimaj shpalos ndryshimet që kthejnë transparencën dhe kontrollin financiar në standard europian

Në seancën e sotme plenare, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, paraqiti një nga projektligjet më të rëndësishme të qeverisjes ekonomike ,ligjin e ri për koncesionet dhe partneritetet publik-privat. Ky projektligj, i ndërtuar mbi praktikat më të mira europiane, vjen si përgjigje ndaj rekomandimeve të OECD/SIGMA-s dhe një sërë analizash të thelluara të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare.

Qëllimi kryesor i tij është modernizimi i mënyrës sesi shteti planifikon, miraton dhe mbikëqyr projektet PPP, duke i integruar ato plotësisht me sistemin e investimeve publike, duke ulur riskun fiskal, duke rritur transparencën dhe duke siguruar që çdo projekt të sjellë vlerë reale për qytetarët.

FJALA E MINISTRES DELINA IBRAHIMAJ NË SEANCË PLENARE

I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë,
Të nderuar qytetarë,

Kam kënaqësinë të sjell sot përpara jush projektligjin për koncesionet dhe partneritetet publik-privat.

Pikë së pari, dua të flas pak për procesin që është ndjekur për të arritur në këtë projektligj. Nisma ka nisur nga Qeveria, nga një rekomandim i raportit të Sigmës, i cili në atë kohë jepte dy rekomandime kryesore: nevojën që partneritetet publike-private, koncesionet, të konsideroheshin njëlloj si financimet publike ,pra në linjë me gjithë procesin e menaxhimit të investimeve publike dhe gjithashtu nevojën për rritjen e transparencës duke e distancuar procedurën e koncesioneve apo të PPP-ve nga procedurat e prokurimeve publike.

Duke pasur si synim hartimin e një ligji të bazuar në praktikat më të mira europiane, projektligji për koncesionet e partneritetit publik–privat është punuar me asistencën e SIGMA-s të OECD-së dhe, nga ana tjetër, duke qenë pjesë e Planit të Rritjes, por edhe një nga piketat përmbyllëse të kapitullit pesë, akti është konsultuar gjerësisht me institucionet, me partnerët dhe është vlerësuar drejtpërdrejt nga zyrat e Komisionit Europian në Bruksel. Të gjitha komentet e tyre janë reflektuar në draftin që ne sot ju paraqesim për miratim.

Të nderuar kolegë, përpara se të jem deputete, unë në profesion jam ekonomiste. Ndaj më lejoni të them dy fjalë në lidhje me koncesionet dhe me partneritetet publike-private. Në të gjithë botën, këto procedura janë një instrument shumë i rëndësishëm për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Vendet e OECD-së, Bashkimi Europian, BERZH, Banka Botërore por edhe FMN theksojnë të njëjtën gjë: PPP-të mund të sjellin vlera të mëdha për qytetarët, por vetëm nëse ka rregulla të qarta, analiza të forta fiskale dhe mekanizma të drejtëpërdrejtë të shpërndarjes së riskut, me transparencë të plotë.

Pikërisht kjo është arsyeja pse projektligji që ne sot paraqesim ka një rëndësi të veçantë për një vend si Shqipëria. Me burime financiare të limituara, përdorimi i instrumenteve të tilla është i rëndësishëm për të kryer investimet e nevojshme në të gjithë sektorët, me qëllim lëvizjen sa më shpejt drejt standardeve europiane dhe uljen sa më të madhe të hendekut që ne kemi në elementët e zhvillimit ekonomik.

Përpara se të flas për risitë e projektligjit, më lejoni të përmend disa shifra:
Deri në vitin 2024 janë 233 kontrata koncesioni/PPP, kryesisht në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë, me një peshë investimesh që kap 27% të PBB-së. Nga këto, vetëm 11 kontrata kanë mbështetje buxhetore direkte dhe pagesat për to janë 2.2% të të ardhurave tatimore duke qenë në linjë me ligjin që kërkon që këto pagesa të jenë nën 5% të të ardhurave tatimore. Pra, janë më pak se gjysma e limitit të parashikuar në ligj.
Situata sigurisht që kërkon kontroll dhe standarde, dhe kjo është arsyeja pse ne sot ju paraqesim një projektligj që merr në konsideratë të gjithë elementët shqetësues të ngritur edhe në komisionet parlamentare.

Unë shkurtimisht do të paraqes risitë kryesore që ligji sjell:

1. Integrimi i plotë me sistemin e investimeve publike.
Çdo projekt me ndikim të lartë fiskal apo ekonomik do të kalojë të njëjtat filtra si investimet publike: analizë kosto–përfitim, fizibilitet teknik e financiar dhe vlerësim të qëndrueshmërisë afatgjatë.

2. Rregulla të qarta për bashkitë dhe njësitë vendore.
Projektligji vendos kritere të detyrueshme dhe mekanizma koordinimi me nivelin qendror, për të shmangur angazhimin në kontrata afatgjata pa kapacitete dhe pa vlerësim të ndikimit fiskal.

3. Riorganizimi i institucionit përgjegjës për PPP-të.
Ai shndërrohet në një agjenci teknike që mbështet autoritetet kontraktore dhe mbiqyr Njësitë e Zbatimit të Kontratave.

4. Ngritja e Njësive të Zbatimit të Kontratave.
Për herë të parë krijohen njësi të posaçme pranë secilit autoritet, të cilat monitorojnë dhe administrojnë kontratat.

5. Funksionalizimi i regjistrit elektronik të PPP-ve.
Të gjitha dokumentet kryesore depozitohen aty, duke garantuar transparencë të plotë.

6. Përditësimi i përkufizimeve sipas direktivave të BE-së.

7. Kontroll fiskal i fortë.
Çdo projekt apo ndryshim me ndikim financiar kërkon miratim ex-ante nga Ministria e Financave. Raportimi bëhet katër herë në vit, ndërsa raporti vjetor i paraqitet Kuvendit.

8. Forcimi i deklarimit të konfliktit të interesit dhe përjashtimi i operatorëve të dënuar.

9. Proces i plotë, i hapur dhe transparent nga identifikimi deri te nënshkrimi i kontratave.

Të nderuar kolegë,

Në komisione u ngritën shumë pyetje të drejta: për rritjen e kostove, devijimet strategjike, riskun fiskal, borxhin e fshehur, rolin e Kuvendit dhe ndryshimet e kontratave.

Dua të jem shumë e qartë: çdo risi e këtij ligji është ndërtuar për t’u përgjigjur këtyre shqetësimeve, të cilat në radhë të parë janë edhe shqetësimet e qeverisë.

• Lidhja me sistemin e investimeve publike i jep fund devijimeve.
• “Vlera e parasë” ndalon mbifaturimet.
• Rregulli fiskal dhe kufijtë për bashkitë mbrojnë stabilitetin.
• Kontrolli i Ministrisë së Financave garanton interesin publik.
• Njësitë e zbatimit dhe regjistri elektronik sigurojnë transparencë.
• Përafrimi me BE-në krijon një sistem modern dhe të krahasueshëm me vendet e zhvilluara.

Kemi përpara një ligj që forcon shtetin, rrit transparencën dhe mbron interesin publik.
Për këtë arsye, ju ftoj ta miratojmë.

Ju faleminderit!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...