33 persona kanë humbur jetën dhe mbi 130 mijë të tjerë janë detyruar të zhvendosen si pasojë e reshjeve të mëdha dhe përmbytjeve rekord që kanë goditur Tajlandën gjatë ditëve të fundit. Situata e rënduar ka detyruar autoritetet të angazhojnë anije ushtarake dhe helikopterë për operacionet e shpëtimit dhe shpërndarjen e ndihmave emergjente.
Përmbytjet kanë përfshirë të paktën dhjetë provinca në jug të vendit. Qyteti Hat Yai, një qendër e rëndësishme tregtare pranë kufirit me Malajzinë, ka regjistruar sipas BBC-së nivelin më të lartë të reshjeve në 300 vitet e fundit – plot 335 mm brenda vetëm një dite.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë rrugë të zhytura nën ujë, automjete të mbytura dhe shtëpi të izoluara, ndërsa banorët presin shpëtim në çatitë e tyre. Shirat e pandalshëm nuk kanë prekur vetëm Tajlandën, por kanë goditur rëndë edhe vendet fqinje.
Në Vietnam, numri i viktimave nga përmbytjet e javës së fundit është rritur në 98, ndërsa në Malajzi më shumë se 19,000 persona janë evakuuar nga banesat e tyre. Edhe pse shirat sezonalë janë të zakonshëm në këtë periudhë të vitit në Azinë Juglindore, ekspertët thonë se intensiteti i këtij viti është jashtë zakonshmërisë dhe konsiderohet ndër më ekstremët e regjistruar ndonjëherë në rajon.

