Ish-portieri dhe trajneri i njohur i Elbasanit, Muharrem Dosti, ka dhënë një prononcim për formën e skuadrës verdheblu dhe ndeshjen e ardhshme ndaj Partizanit. Duke analizuar ecurinë e deritanishme, Dosti thekson se Elbasani ka fituar një pjekuri të re dhe ka krijuar një grup të konsoliduar që e justifikon plotësisht vendin në krye të renditjes.
Sipas tij, sfida me Partizanin është e rëndësishme, por duhet parë si pjesë e rrugëtimit të zakonshëm të kampionatit. “Ndeshjen me Partizanin e shoh si një ndeshje radhe. Me momentin që po kalon dhe gjendjen aktuale, Elbasani do hyjë në fushë për të marrë tre pikët,” deklaron Dosti, duke nënvizuar se pavarësisht pozicionit që mban Partizani, është një ekip me emër që kërkon vlerësim maksimal.

Duke u ndalur te forca e skuadrës, ai vlerëson kolektivitetin si elementin kryesor:
“Ka një kolektivitet këtë vit, ekipi është harmonizuar dhe repartet po funksionojnë mjaft mirë me njëri-tjetrin. Shoh një skuadër më të pjekur dhe më me eksperiencë se një vit më parë, ndaj edhe pozicioni në renditje është i merituar,” thekson Dosti.
Sa i përket objektivave, ai shprehet i bindur se Final 4 nuk vihen në diskutim:
“Me atë që ka treguar skuadra, kam bindjen se ‘Final 4’ nuk do të vihet në pikëpyetje. Madje, me këtë ritëm mund të mendohet edhe për më lart, por për këtë duhet pritur fundi i kampionatit,” shton ish-trajneri.

Dosti komentoi edhe barazimin e fundit me Dinamon, që sipas tij tregoi karakterin dhe gatishmërinë taktike të ekipit:
“Ndeshja me Dinamon ishte një impuls tjetër pozitiv. Përpos barazimit, skuadra tregoi karakter dhe luajti mirë taktikisht. Ndoshta, po të ishte shfrytëzuar rasti i Diallos, mund të kishim marrë fitoren. Por futbolli është i tillë,” u shpreh ai.
Në mbyllje, Dosti thekson edhe një herë armën më të fortë të Elbasanit:
“Arma më e fortë është kolektiviteti. Trajneri ka bërë shumë mirë punën e tij duke e bërë skuadrën harmonike. Mbi të gjitha, shoh një shpirt gare të jashtëzakonshëm këtë vit,” përfundoi Dosti.


