Magjia e teatrit për fëmijë zbret në ambient të hapur në Elbasan. Premiera “Elefanti që donte të fluturonte”, emocionon qindra fëmijë e të rritur

Nga Vladimir Mema

Elbasani vijon të jetë një qendër e gjallë kulturore edhe gjatë muajve të verës, falë aktiviteteve të shumta artistike për fëmijë që po organizohen nga Bashkia Elbasan dhe institucione të tjera kulturore të qytetit. Në kuadër të një kalendari të detajuar që shtrihet gjatë gjithë muajit gusht, të enjten pasdite, aktorët e talentuar të Teatrit të Kukullave “Skampa” sollën premierën e re të titulluar: “Elefanti që donte të fluturonte”, një shfaqje plot ngjyra dhe emocione e vënë në skenë nga regjisori i njohur Hysen Mullajonuzi.

Shfaqja u zhvillua në një nga lulishtet më të frekuentuara të qytetit, duke e kthyer natyrën në skenë të hapur për artin dhe imagjinatën. Fëmijë të shumtë, të shoqëruar nga prindërit e tyre, ndoqën me kureshtje dhe emocion aventurën e elefantit të vogël, që përmes natës dhe ëndrrave të tij, kërkon të fluturojë, një metaforë e ëmbël për dëshirat e pafajshme të fëmijërisë.

Personazhi i elefantit zemërmirë, i trazuar nga mendimet e tij të errëta, simbolizon pasiguritë që fëmijët përjetojnë në mënyrën e tyre të veçantë. Ndihma vjen nga Pata Terezina, një mike besnike që i mëson atij se lumturia nuk vjen nga fluturimi fizik, por nga gjetja e paqes dhe dashurisë së brendshme.

Regjisori i mirënjohur, Hysen Mullajonuzi, u shpreh se: “Kjo shfaqje është një ftesë për të gjitha moshat, jo vetëm për fëmijët, që të kuptojmë se edhe në momentet kur mendimet na rëndojnë, kujtimet, përvojat dhe miqësitë e sinqerta na ndihmojnë të rifitojmë balancën e brendshme. E kam ndërtuar këtë vepër me shumë dashuri, duke synuar jo vetëm argëtimin, por edhe reflektimin. Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për të qeshura, por edhe për histori që i mësojnë të kuptojnë veten dhe të tjerët. ‘Elefanti që donte të fluturonte’ është një metaforë për të gjithë ne, për guximin për të ëndërruar, por edhe për rëndësinë e pranimit të vetvetes”.

Ky aktivitet është vetëm një nga shumë të tjera që pritet të zhvillohen përgjatë gushtit në qytetin e Elbasanit, si pjesë e një angazhimi të vazhdueshëm për të ofruar kulturë dhe edukim për më të vegjlit tanë. Përmes artit, këta fëmijë mësojnë të njohin emocionet, të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të ndjeshme dhe më të bukur.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Nga infrastruktura tek zhvillimi ekonomik: Banorët e Papërit japin votën për prioritetet

Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, Kryetari...

Rama: Bashkitë të sjellin hartat e Paketës së Maleve brenda tetorit, amendime për lehtësimin e burokracive

Kryeministri Edi Rama kërkoi marrjen e masave nga bashkitë...

Gvozdenoviç beson te reagimi: “Do ta kalojmë momentin e vështirë”

Elbasani përgatitet për një ndeshje të rëndësishme ndaj Bylisit,...