Nga Çaush Kullafi
Rruga e Kombit, kjo arterie që lidh Shqipërinë me Kosovën, është më shumë se një rrugë, është një udhëtim përmes maleve, tunelit gjigant, urave të gjata dhe panoramave mbresëlënëse që të mbushin shpirtin me krenari shqiptare. Përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ajo të prezanton bukuritë e egra e të gjalla të veriut të Shqipërisë, kodrat e thepisura të Kukësit, gjelbërimin e pafund të zonës së Hasit, dhe më tej, hijeshinë e tokës dardane që të pret me zemër të hapur. Në Prishtinë, kryeqytetin modern të Kosovës, takova dy miqtë e mi të dashur, Rexhep dhe Mirvete Xhota. Prishtina është një qytet që flet me historinë e saj, me ndërtesat moderne të ndërthurura me monumente që kujtojnë sakrificat e një populli për liri. Së bashku vizituam disa prej vendeve më të bukura dhe me rëndësi historike të qytetit: Sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin ku ndihej frymëmarrja europiane e kryeqytetit, muzeun Etnologjik, Parkun e Gërmisë ,vendin më të bukur të Prishtinës, një oaz i gjelbër në lindje të qytetit, ku natyra mbretëronte mbi zhurmat e përditshmërisë.
Këtu ndjemë freskinë e natyrës dhe mikpritjen e miqve tanë drenicarë, përkujtuam të kaluarën, biseduam për të tashmen dhe reflektuam mbi të ardhmen e një Kosove që po ecën me hapa të sigurt drejt përparimit.
Një nga momentet më të bukura dhe më të ndjera të udhëtimit tim në Prishtinë ishte takimi me mbesën time të dashur, Emida Xhani, vajzë nga Tirana, e zgjuar dhe e dashur, tashmë nuse në Prishtinë. Sa mall kishte grumbulluar daja për të! Takimi ynë u kthye në një përqafim të gjatë çmalljeje, një çast i mbushur me emocion, gëzim dhe kujtime që na lidhin fort me njëri-tjetrin. U ulëm bashkë për një kafe në një lokal të bukur në zemër të kryeqytetit, me ftesën plot bujari të bashkëshortit të saj, z. Emri Bullaku, i cili na priti me ngrohtësinë dhe mikpritjen karakteristike të dardanëve. Aty, në mes të zhurmës së butë të qytetit dhe aromës së kafesë, bashkuam fjalët, ndjesitë dhe një dashuri familjare që nuk e zbeh as largësia e as koha.
Nga Prishtina, udhëtimi ynë na çoi në zemër të Drenicës, në Drenas dhe Skënderaj, dy vende që përfaqësojnë jo vetëm bukuri natyrore, por mbi të gjitha, histori dhe heroizëm. Ishte Rexhepi ai që më tregoi për figurat e shquara të luftës çlirimtare: Hamëz e Adem Jasharin, Shaban Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin – emra që nuk janë vetëm pjesë e historisë së Kosovës, por edhe të shpirtit të çdo shqiptari.
Një nga momentet më të ndjera ishte vizita në kompleksin memorial në Marinë, ku prehen 158 dëshmorë të UÇK-së. Emocioni që të përfshin në këtë vend është i pashpjegueshëm, një përzierje dhimbjeje, krenarie dhe mirënjohjeje për ata që dhanë jetën për lirinë e atdheut.
Qëllimi kryesor i këtij udhëtimi ishte vizita në fshatin Dobroshec (Dritan), vendlindja e komandant Rexhep Xhotës, mikut tim. Aty ndodhet shtëpia e familjes Xhota, e kthyer dikur në shtab të UÇK-së. Në hyrje të saj binin në sy dy flamuj që valëviteshin krenarë: flamuri i Kosovës dhe ai kuq e zi i Shqipërisë. Mbi mur ishte vendosur një pllakë përkujtimore, një dëshmi e rolit të kësaj familjeje në luftën për çlirim.
Rexhepi më tregoi me emocion për betejat e zhvilluara, për sakrificat e prindërve të tij, Hasan dhe Sherife Xhota, që qëndruan krah luftës. Në duar mbante medalje, çertifikata nderimi, kujtime që dëshmojnë përkushtimin dhe rolin e tij si luftëtar.Një ndalesë e shkurtër e ndjeshme ishte në fshatin Llaushë, ku mësuam për mësuesin Halit Geci, një figurë e shquar që ra dëshmor duke mbrojtur nxënësit dhe lirinë e vendit. Mësuesi që u bë hero në vendin ku nisi rrugëtimin e dijes.
Në qytetin e Vushtrrisë, u ndalëm me respekt të veçantë për të përkujtuar figurën madhore të kombit, Hasan Prishtinën, burrin e urtë e të vendosur që i kushtoi jetën çështjes shqiptare. Ai ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Kryengritjes së vitit 1912, i cili jo vetëm luftoi me armë për liri, por edhe hartoi Programin Kombëtar të 14 Pikave, një platformë politike për bashkimin dhe të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre. Hasan Prishtina ishte një vizionar, diplomat, mendimtar dhe burrë shteti, që nuk iu përkul as Perandorisë Osmane, as fuqive të mëdha të kohës. Lufta e tij nuk ndalej as para burgjeve, as para rrezikut të jetës, dhe për këtë arsye, mbetet një nga figurat më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Kujtimi i tij në Vushtrri është i gjallë dhe frymëzues për çdo brez.
Më tej vizituam edhe fshatrat historikë Likoshan dhe Qirez, emra të gdhendur në kujtesën e Kosovës për luftën dhe sakrificat.
Ndalesa jonë në fshatin Shkabaj ishte po aq e rëndësishme ,vendi ku lindi komandanti i njohur Fehmi Lladrovci. Vizitat në këto vende më dhanë ndjesinë se çdo hap në tokën e Kosovës mbart një histori, një dëshmi, një jetë të dhënë për liri.Në fund të udhëtimit, me Rexhepin dhe Mirveten, shëtitëm edhe në Mitrovicë, qytetin simbol të ndarjes, por edhe të qëndresës. Në urën e famshme mbi lumin Ibër ndjehej një frymë e re; shqiptarët lëviznin lirshëm dhe atmosfera e përmirësuar të jepte shpresë për një bashkëjetesë më të qetë në të ardhmen. Rexhep dhe Mirvete Xhota na ftuan bashkë me Median Rrapin për drekë në një restorant buzë lumit Ibër. Aty shijuam peshq të freskët dhe një mikpritje të ngrohtë, që vetëm miqtë e mirë dinë të ofrojnë. Uji i kthjellët i lumit, gjelbërimi përreth dhe qetësia që përhapej në atë vend, e bënë drekën më shumë se një vakt ,e bënë një çast të medituar mbi gjithçka që kishim parë.Dita u mbyll me një darkë të këndshme në banesën e familjes Xhota, ku na pritën me zemër të hapur edhe vajzat e tyre, Vjollca dhe Shyrhetja. Ishte një mbrëmje ku ndihej vërtet shpirti i Kosovës – thjeshtësia, burrëria, bujaria dhe krenaria. Kjo darkë u bë një përjetim i paharrueshëm.
Pas kthimit në Tiranë, kujtimet e udhëtimit në Kosovë më mbetën të gjalla në mendje e në zemër. Kjo tokë me njerëz të thjeshtë trima , me histori dhe krenari më dha një përjetim të veçantë. Ika nga Kosova me mall dhe dëshirën e madhe që shumë shpejt do rikthehem përsëri.