Dinamo në ankth para Elbasanit: mungesa, probleme dhe asnjë miqësore gjatë pushimit

Dinamo prej ditësh është e angazhuar me përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit. Fillimisht u mendua se pushimi i Kombëtareve do t’i shërbente skuadrës blu, por realiteti ka rezultuar krejt ndryshe, pasi në kampin kryeqytetas kanë nisur të shtohen problemet.

Mungesat janë shndërruar në shqetësimin kryesor të trajnerit Daja, pak ditë para një sfide të vështirë si ajo ndaj Elbasanit. Për më tepër, ngarkesa fizike nuk ka arritur në nivelin e duhur, pasi Dinamo nuk mundi të siguronte një kundërshtar për një miqësore gjatë kësaj periudhe. Si pasojë, stafi teknik u detyrua të zhvillonte një test brenda grupit, kundër Dinamos B. Skuadra e parë fitoi 4-2, por sfida brenda familjes vështirë se shërben si provë e vërtetë për gjendjen e ekipit.

MUNGESAT

Daja nuk ka pasur në dispozicion skuadrën e tij të plotë.
– Naser Aliji dhe Hekuran Berisha u grumbulluan respektivisht me Shqipërinë dhe Kosovën U21.
– Me Shqipërinë U19 mungoi edhe Bjorni Duka.
– Guindo është jashtë për shkak dëmtimi dhe ende nuk ka një datë rikthimi, duke u konsideruar pothuajse i pamundur për duelin me Elbasanin.
– Nani ka munguar disa ditë për shkak gripi, por është bashkuar me skuadrën.

Mungesat kanë sjellë vështirësi të konsiderueshme në stërvitje, duke e penguar Dajën të punojë me intensitet të plotë.

MIQËSORJA E PAMUNDUR

Daja kërkoi zhvillimin e një miqësoreje me një skuadër të Kategorisë së Parë, por kjo u bë e pamundur për shkak të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë, të cilat ekipet e kësaj kategorie i kanë në mesjavë. Për të shmangur rreziqet e dëmtimeve, askush nuk pranoi testin.

Për pasojë, Dinamo u detyrua të luante ndaj Dinamos B, duke fituar 4-2. Megjithatë, dy golat e pësuar ndaj ekipit që luan në Kategorinë e Tretë ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e repartit defensiv.

NDESHJA E RADHËS

Dinamo do të përballet me Elbasanin të shtunën, në javën e 12-të të Superiores. Bluve u duhet reagim, pasi vijnë nga një barazim dhe një humbje në dy javët e fundit. Loja e mirë ndaj Vllaznisë në Shkodër ka sjellë një lloj qetësie, por presioni rritet dita-ditës, duke qenë se rivalët për Final 4 po grumbullojnë pikë të rëndësishme.

Sfida e parë e sezonit mes dy skuadrave përfundoi 1-0 për Elbasanin. Këtë herë, Dinamo kërkon revanshin për të qëndruar në garë me zonën e objektivave.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME