Një ditë pas protestës së opozitës para Kryeministrisë, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë ulur sot në tryezë për të vijuar punën mbi Reformën Zgjedhore.
Bashkëkryetari i komisionit nga PS, Damian Gjiknuri, propozoi që puna të nisë me çështjet që nuk kërkojnë debat të gjerë politik, duke theksuar se i gjithë procesi do të udhëhiqet nga parimet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Duke shpresuar që këtë herë të realizojmë një reformë të plotë dhe konsensuale, kemi arritur konsensus ndërpartiak për dy çështje të rëndësishme: votën e diasporës dhe listat e kandidatëve. Shpresoj që puna e këtij komisioni të jetë bashkëpunuese, në funksion të zgjedhjeve më të mira. Është detyrë e jonë të respektojmë prioritetet e ODIHR-it dhe t’i kthejmë ato në ligj. Jo çdo çështje mund të zgjidhet nga ky komision, ndaj kërkoj mirëkuptim nga opozita. Për tema më pak të debatueshme politikisht, si transparenca në financimin e partive, do të ishte e udhës që të trajtohen me prioritet”, u shpreh Gjiknuri.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga PD, Oerd Bylykbashi, kërkoi që vendimmarrja të mos kushtëzohet nga shumica e cilësuar, por të mbështetet plotësisht në konsensus.
“Nëse shfrytëzojmë mandatin dhe kohën 9-mujore të komisionit, kemi mundësi të arrijmë një rezultat të prekshëm. Uroj që të ecim në këtë frymë. Nëse këtu arrihet konsensus, nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2020, kur Edi Rama përmbysi çdo marrëveshje të arritur. Konsensusi duhet të shkojë deri në fund, pa përdorur shumicë të cilësuar — kjo është tradita e komisioneve të suksesshme. Të gjithë duhet të kenë mundësinë të shprehin qëndrimet e tyre”, tha Bylykbashi.
Në këtë mënyrë, të dy kampet politike shfaqin gatishmëri për t’i dhënë reformës një trajtim më gjithëpërfshirës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse fryma e bashkëpunimit do të ruhet gjatë gjithë procesit.

