Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Riad (Arabia Saudite), takoi edhe sportistët shqiptarë pjesëmarrës në Lojërat Islamike të Solidaritetit.
Gonxhja u shpreh se, sportistët përfaqësues të Shqipërisë po fitojnë medalje dhe po thyejnë rekorde në disiplina të ndryshme.
Ministri takoi disa prej sportistëve që u shpreh ministri, “po e ngrejnë lart me dinjitet dhe pasion flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare.
Gonxhaj u takua me Enkileda Carjan, kampionen e re shqiptare që ka thyer rekordin botëror për të reja me 97 kg në shkëputje dhe fituese e dy medaljeve të argjendta, si dhe Melos Gashin, i cili garon në karate dhe pritet të sigurojë vendin e tretë sot.
Gonxhja u shpreh “krenar për përkushtimin, shpirtin garues dhe rezultatet që dëshmojnë forcën, talentin dhe ambicien e Shqipërisë së re sportive, që po afirmohet me dinjitet në çdo arenë ndërkombëtare”.
Shqipëria përfaqësohet me 10 sportistë në Lojërat e Solidaritetit Islamik që po mbahen në Riad të Arabisë Saudite.
Sportistët shqiptarë garojnë në 6 disiplina në këto lojëra, ku përfshihen xhudo, karate, mundje, peshëngritje, pingpong dhe taekwondo.
Kështu në xhudo Shqipëria përfaqësohet nga Erisa Brahimaj, në karate nga Orges Arifi dhe Melos Gashi. Në Lojërat e Solidaritetit Islamik nuk mungojnë kampionët e mundjes Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev, Chermen Valiev.
Gjithashtu në këto lojëra marrin pjesë edhe peshëngritësit Enkileda Carja dhe Ertjan Kofsha.
Shqipëria përfaqësohet edhe në pingpong me Kejdi Kalaja dhe taekwondo me Ernest Merdanaj.
Lojërat e Solidaritetit Islamik po mbahen nga 7 deri më 21 nëntor në Riad. Këto lojëra zhvillohen çdo katër vjet për të promovuar bashkëpunimin dhe konkurrencën sportive midis shteteve anëtare.

