Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka theksuar se plakja e popullsisë dhe emigrimi i fuqisë punëtore janë ndër sfidat kryesore që mund të kufizojnë potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike të vendit.
Gjatë fjalës së tij në Workshop-in e 19-të të Kërkimeve Ekonomike për Evropën Juglindore, të organizuar nga Banka e Shqipërisë, Sejko u shpreh se, megjithë ecurinë pozitive të ekonomisë, perspektiva mbetet e ndikuar nga pasiguritë globale dhe sfidat strukturore të brendshme.
“Të dhënat makroekonomike tregojnë për një rritje pozitive, të mbështetur nga stabiliteti monetar dhe financiar. Inflacioni qëndron në nivele të ulëta dhe të kontrolluara, ndërsa sistemi bankar mbetet i shëndoshë dhe një shtyllë kyçe e stabilitetit makroekonomik”, deklaroi Sejko.
Ai paralajmëroi gjithashtu se ekonomia shqiptare, ashtu si ajo globale, po përballet me tensione gjeopolitike, ndryshime në zinxhirët e furnizimit dhe luhatje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
“Ndryshimet demografike, si plakja e popullsisë dhe emigracioni i vazhdueshëm i forcës punëtore, po kufizojnë ofertën e burimeve njerëzore dhe ndikojnë në potencialin afatgjatë të rritjes ekonomike”, shtoi Guvernatori.
Sejko nënvizoi se tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër dhe digjitale kërkon investime të mëdha publike dhe private, rritje të produktivitetit dhe përshtatje të strukturës së prodhimit.
Ai bëri thirrje për politika të kujdesshme monetare dhe fiskale, si dhe për reforma transformuese që synojnë rritjen e produktivitetit përmes inovacionit, investimeve, përmirësimit të klimës së biznesit dhe zgjerimit të përfshirjes financiare dhe ekonomike.
“Rritja e qëndrueshme ekonomike dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik kërkojnë një qasje strategjike, fleksibilitet politikash dhe zhvillim të mëtejshëm të tregjeve financiare”, përfundoi Sejko.

