Pas fitores së rëndësishme në Vlorë, atmosfera në kampin verdheblu është pozitive dhe besimi po rritet. Një prej figurave emblematike të klubit, ish-kampioni i Shqipërisë me Elbasanin në sezonin 1983-84, Edmond Mustafaraj, vlerëson punën që po bëhet dhe thekson rëndësinë e vazhdimësisë.
EDMOND MUSTAFARAJ:
“Fitorja në Vlorë ishte shumë e vlefshme, jo vetëm për rezultat, por për mënyrën si u arrit. Skuadra tregoi qetësi, karakter dhe pjekuri taktike. Këto janë sinjale pozitive që tregojnë se Elbasani po fiton personalitet.
Ajo që më pëlqen më shumë është fryma e grupit. Shikoj harmoni midis lojtarëve dhe trajnerit, dhe kjo i jep skuadrës identitet. Merita shkon te stafi teknik, i cili ka ditur të menaxhojë mirë ekipin dhe të krijojë besim brenda dhomës së zhveshjes.
Besoj se Elbasani mund të jetë pjesë e luftës për Final 4, por gjithçka varet nga vazhdimësia. Kampionati nuk fiton me një ndeshje, por me stabilitet java pas jave.
Sa i përket ndeshjes me Egnatian, nuk duhet të ketë presion. Është një test i rëndësishëm, por skuadra duhet të luajë me qetësi dhe të vazhdojë në të njëjtin ritëm. Rezultatet vijnë kur punon dhe mbetet i përulur.
Mesazhi im për çunat është i qartë: të vazhdojnë me punë, përkushtim dhe besim. Elbasani e ka mundësinë të bëjë një sezon të suksesshëm”, u shpreh Mustafaraj.

