Elbasani ka nisur lëvizjet për merkaton e janarit dhe po shikon sërish drejt tregut nordik. Sipas mediave suedeze, verdheblutë janë të interesuar për mesfushorin e AIK Oskarshamn, Ludwig Navik, një lojtar premtues vetëm 21 vjeç dhe 184 cm i gjatë, i cili ka qenë pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave të Suedisë, nga U-16 deri në U-20, ku ka shënuar edhe pesë gola.
Navik po zhvillon një sezon shumë të mirë në Divizionin e Parë suedez, ku ka luajtur 28 ndeshje si titullar. Pavarësisht se është mesfushor qendror, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë pesë asiste, duke kontribuar direkt në 40% të golave të skuadrës së tij. Ndërkohë, ai spikat për qetësinë në fushë, me vetëm tre kartonë të verdhë dhe asnjë të kuq në këtë sezon.
Megjithatë, tratativa nuk pritet të jetë e thjeshtë. Performanca e tij ka tërhequr interesin e disa skuadrave të kategorisë elitare në Suedi. Avantazhi i klubeve të interesuara është se kontrata e lojtarit skadon më 31 dhjetor, çka e bën të lirë për t’u transferuar.
Elbasani duket se po synon të forcojë mesfushën, aty ku është identifikuar nevoja për më shumë balancë dhe kreativitet. Tani mbetet të shihet nëse verdheblutë do të arrijnë të bindin Navikun për t’u transferuar në Superligën shqiptare.

