“Nga Rafja e Spatharit në Rafjen e Xhyrës”, një udhëtim i pazakontë përgjatë rrugës Egnatia, një prej rrugëve më të famshme të kohës së lashtë

Fundjava që lamë pas u kthye në një udhëtim emocionues në kohë dhe histori nga një grup të rinjsh nga Librazhdi, të cilët jetojnë e punojnë në qytete si Tirana, Durrësi e Elbasani. Ata u mblodhën së bashku për të ndërmarrë një eksplorim të rrallë përgjatë njërit prej segmenteve më të ruajtura të Rrugës Egnatia, nga Rafja e Spatharit në Rafjen e Xhyrës, në bashkinë e Librazhdit.

Kjo guidë e veçantë, e realizuar me iniciativën e Adriatik Kurtit, u shndërrua në më shumë se një shëtitje në natyrën e mrekullueshme të kësaj zone, me bukuri e pasuri natyrore të shumta në çdo cep të saj. Ky rrugëtim i tyre përgjatë rrugës Egnatia ishte një kthim simbolik në rrënjët historike të një prej arterieve më të rëndësishme të antikitetit, rrugës që dikur lidhte Perandorinë Romake nga Adriatiku në Bosfor.

Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe figura të njohura, të cilët janë promovues të palodhur të destinacioneve turistike të kësaj zone, si inxhinieri Fatmir Brazhda, Drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan, si dhe Shpëtim Cura, Drejtor i Zyrës së Turizmit në Bashkinë Librazhd. Ata theksuan rëndësinë e trashëgimisë historike, kulturore dhe natyrore që kjo zonë ofron.

Një pasuri që flet shumë në çdo hap

Segmenti i përshkuar në këmbë nga grupi i të rinjve librazhdas dhe jo vetëm është një dëshmi e gjallë e historisë mijëravjeçare. Përveç kalldrëmeve të ruajtura në gjendje të mirë, pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër një seri veprash infrastrukturore të ndërtuara me mjeshtëri shekuj më parë, si ura antike, tombino, nënkalime, mure mbajtëse, si dhe objekte me vlerë të veçantë kulturore përgjatë rrugës Egnatia, si kalaja, xhamia e vjetër, Hani i Hoxhës, Shpella e Plakës, Guri i Bletës dhe shumë të tjera.

Këto janë më shumë se thjesht pika referimi; ato janë dëshmi të rolit kyç që kjo rrugë ka luajtur në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe ushtarak të rajonit ndër shekuj, nga koha e romakëve, bizantinëve deri te perandoria osmane.

Thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim

Pjesëmarrësit, organizatorët dhe përfaqësuesit institucionalë u bashkuan në një thirrje të përbashkët: Rruga Egnatia duhet të mbrohet, të restaurohet dhe të promovohet. Zona përgjatë të cilës kalon kjo rrugë e famshme ka nevojë emergjente për sinjalistikë, tabela informuese, shënjime orientuese dhe, në disa raste, edhe kufizime për ta ruajtur këtë trashëgimi nga shkatërrimi.

Rruga Egnatia nuk është vetëm një rrugë e lashtë; ajo është një mundësi e artë për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në zonën e Librazhdit dhe Prrenjasit, dhe jo vetëm. Aktivitetet si kjo guidë duhet të kthehen në një model të qëndrueshëm për të rinjtë, për komunitetin dhe për institucionet.

Një nismë që frymëzon

Ky udhëtim nuk ishte vetëm një kthim në histori, por edhe një hap drejt të ardhmes, një ftesë për të gjithë ata që besojnë se trashëgimia kulturore është pasuria më e madhe që mund të lëmë pas.

Rruga Egnatia është pasuri e çmuar e trashëgimisë botërore. Është fat i madh që në Shqipëri, dhe sidomos në fshatrat e Librazhdit, traseja e saj është në gjendje mjaft të mirë. Është koha e duhur që me përkushtim dhe vizion ajo të kthehet në një nga destinacionet turistike më të preferuara.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Shkumbini ndan rrugët me trajnerin: Kush do e marrë drejtimin?

KF Shkumbini njofton se trajneri Lorenc Pashja ka dhënë...

Kapetanović: Start-upet e Ballkanit, potencial i madh që pret të shndërrohet në rritje të vërtetë

Ballkani Perëndimor ka energji, ide dhe talente, por i...

Nga ‘like’-u te ankthi…

Nga Majlinda Bregu Përdorimi problematik i rrjeteve sociale është rritur...

Laguna e Patokut, një parajsë turistike

Nga Ymer Hysa Jo vetëm ai që e sheh për...