Punimet për ndërtimin e rrugës “Gjergj Arianiti” në Elbasan po ecin me ritme të shpejta, duke hyrë në fazën përfundimtare të asfaltimit.
Ky aks i ri, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, do të lidhë lagjen “Emin Matraxhiu” me Menglin dhe më tej me Koridorin VIII, duke krijuar një alternativë moderne lëvizjeje për banorët e zonës.
Rruga po ndërtohet plotësisht nga e para, me trotuare të reja për këmbësorët, ndriçim bashkëkohor dhe korsi biçikletash, që do të rrisin sigurinë dhe cilësinë e jetesës urbane.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës, projekti pritet të transformojë pamjen përgjatë lumit Shkumbin, duke e kthyer zonën në një hapësirë më të gjelbër dhe të aksesueshme.
Në vijim, punimet do të shtrihen edhe në segmentin e rrugës “Behxhet Hyti”, nga ura e Lizës deri te ish-frigoriferi i Elbasanit, duke plotësuar një nyje të rëndësishme lidhëse për qarkullimin urban dhe ndërqytetas.
Investimet në infrastrukturën e nën-Elbasanit vazhdojnë me intensitet, duke ndryshuar çdo ditë fytyrën e qytetit dhe përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për komunitetin.