Nga Vladimir Mema
Një tjetër humbje e madhe për sportin elbasanas dhe atë shqiptar. Është ndarë nga jeta Xhevahir Taushani, ish-futbollist i njohur i viteve ’60, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e futbollit në Elbasan dhe përtej tij.

Taushani u bë pjesë e ekipit verdheblu që në moshë të re, duke u afirmuar si një mbrojtës i fortë, i disiplinuar dhe me personalitet në fushën e lojës. Për dy sezone ai veshi edhe fanellën e Dinamos së Tiranës, duke treguar vlera edhe në elitën e futbollit shqiptar të asaj kohe. Gjithashtu u grumbullia edhe nga ekipet Kombetare.

Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Xhevahir Taushani qëndroi pranë sportit dhe u angazhua për vite me radhë si drejtues në klubin e Elbasanit, ku dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e brezave të rinj dhe në organizimin e ekipit.

Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë mes sportdashësve, kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër. Elbasani dhe futbolli shqiptar i përkulen me respekt figurës së tij.


