Festa tradicionale e të vjelave në Dibër solli sot atmosferë të ngrohtë dhe plot gjallëri në bulevardin “Elez Isufi”, ku fermerë, prodhues e sipërmarrës agroturistikë nga e gjithë zona prezantuan prodhimet bujqësore karakteristike të trevës.
Në edicionin e 20-të të “Festës së të vjelave”, morën pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, kryetari i bashkisë Rahim Spahiu, prefekti Nexhbedin Shehu dhe deputetët Agron Malaj e Alma Selmani, të cilët përshëndetën fermerët dhe prodhuesit vendas për kontributin në zhvillimin e ekonomisë rurale.
Ministri Salla vuri në dukje se investimet në bujqësi, përfshirë mbështetjen për fermerët, përpunimin dhe certifikimin e produkteve tradicionale, janë kyçe për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Festa u ndërthur me ngjyrat e vjeshtës, aromën e tokës dhe produktet “Made in Albania”, duke shndërruar bulevardin në një panair të vërtetë bujqësor.
Në stendat e ekspozuesve u prezantuan produkte tradicionale si jufkat e Dibrës, djathi, mjalti, çaji i malit, patatja e fushës, rakia, fasulet dhe frutat e thata, prodhime që mbartin jo vetëm shijen e natyrës, por edhe trashëgiminë bujqësore të kësaj zone.
Festa e të vjelave është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit lokal në Dibër, duke promovuar produktet bio, turizmin rural dhe traditën e punës së ndershme të fermerëve, që mbetet një motor zhvillimi për brezat që vijnë.
Eksportet e produkteve bujqësore shqiptare vijojnë të shënojnë rritje të qëndrueshme edhe gjatë vitit 2025. Gjatë periudhës janar-shtatori të këtij viti ato arritën në 361 994 tonë, duke shënuar rritje me 9,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u eksportuan 331 876 tonë produkte bujqësore.