Me afatin e zgjedhjeve të pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki, partitë politike kanë nisur mobilizimin e strukturave të tyre për fitoren e kandidatëve.
Burime nga opozita bëjnë me dije se deputetët e Partisë Demokratike, të cilët vijnë nga bashkitë ku nuk ka zgjedhje këtë herë, do të angazhohen intensivisht në Tiranë për të mbështetur kandidatin e pavarur, Florjan Binaj.
Sipas informacioneve, çdo zonë e Kryeqytetit do të jetë e mbuluar nga deputetët demokratë, në një përpjekje për të maksimizuar mbështetjen dhe fitoren e kandidatit të pavarur. Kreu i PD ka kërkuar nga strukturat që të përqendrojnë energjitë dhe resurset në këtë fushatë, duke e konsideruar Tiranën një betejë kyçe për zgjedhjet e pjesshme.
Fushata pritet të jetë intensive dhe të përfshijë aktivitete të ndryshme në terren, takime me qytetarët dhe prezantime të programit të kandidatit, ndërsa PD synon të mobilizojë maksimalisht strukturat e saj në kryeqytet.

