Gjatë sezonit turistik veror, 36 qendra shëndetësore nga veriu në jug garantuan shërbim mjekësor për të gjithë pushuesit, vendas dhe të huaj.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur në rrjetet sociale se:
“68,108 pushues vendas e të huaj kanë marrë shërbim nga 1 qershori deri më 31 gusht, në 36 qendrat shëndetësore verore të hapura 24/7, me ekipe mjekësore pranë pushuesve çdo ditë.”
Sipas ministres, 30% e pushuesve që morën shërbim ishin turistë të huaj. Ajo shtoi se:
“Falë përkushtimit të stafeve mjekësore, pushuesit kanë shijuar një sezon të qetë dhe të mbrojtur.”
Fluksi më i lartë i pushuesve ka qenë në qendrat shëndetësore të Golemit, Pogradecit, Plazhit të Durrësit, Mali i Robit dhe Gjirit të Lalëzit. Diagnozat më të shpeshta përfshinin gastroenterite, pickime dhe alergji, viroza të ndryshme dhe hipertension arterial.
Ministrja Koçiu njoftoi se qendrat shëndetësore verore do të qëndrojnë të hapura deri më 30 shtator 2025, për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit, vendas dhe të huaj.