Sot shënohet 27-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, një prej figurave më emblematike të lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90 dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike.
Në nderim të kësaj dite, eksponentë të PD-së, të kryesuar nga kryedemokrati Sali Berisha, si dhe deputetë të tjerë të opozitës, zhvilluan homazhe pranë monumentit të Hajdarit në qendër të Tiranës.
Pjesëmarrësit vendosën kurora me lule dhe mbajtën një moment heshtjeje në kujtim të tij, duke e cilësuar Hajdarin si simbol të rezistencës ndaj diktaturës dhe figurë kyçe në rrugën drejt demokracisë në Shqipëri.
Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998, në një atentat pranë selisë së Partisë Demokratike. Ai mbahet mend si një prej figurave më të zëshme të tranzicionit politik dhe mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e re të vendit.