13 vjeçe nuse, 25 vjeçe e ve me katër fëmijë, rrëfimi i jashtëzakonshëm i 91 vjeçares Shahe Leka nga Spathari i Librazhdit

Nga Fatmir Popja

Në fshatin Spathar të Njësisë Administrative Qendër, në bashkinë Librazhd, jeton një nga dëshmitaret më të rralla të historisë së një shekulli jetë. Shahe Leka, 91 vjeçe, është aktualisht gruaja më e moshuar e këtij fshati .Ajo është një simbol i gjallë i qëndresës, sakrificës dhe punës së palodhur, që ka përjetuar luftën, varfërinë, humbjet familjare dhe ndryshimet e mëdha shoqërore pa u dorëzuar asnjëherë.

E lindur më 20 gusht 1935 në fshatin Babje të rrethit të Librazhdit, Shahe Leka (Balla) vjen nga një prej familjeve më të mëdha dhe më të njohura të zonës. Fëmijëria e saj u zhvillua në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në një kohë të vështirë për vendin. Ajo arriti të përfundojë katër klasë shkollë me rezultate të mira, por jeta do ta nxirrte shumë shpejt përballë përgjegjësive të rënda.

Në moshën 13-vjeçe u martua në fshatin fqinj ,Spathar me Kadri Lekën , një prej djemve më të bukur të asaj zone , ndërsa dy vite më vonë u bë nënë për herë të parë. Goditja më e madhe e jetës erdhi në moshën 25-vjeçare, kur mbeti e ve dhe shtatzënë, pas ndarjes nga jeta para kohe për shkak të një sëmundje të rëndë të bashkëshortit. Në atë moment, Shahe Leka kishte tre fëmijë të mitur, ndërsa i katërti erdhi në jetë pak muaj më vonë, duke mbajtur emrin e të atit.

E mbetur vetëm, pa mbështetje dhe me katër fëmijë për të rritur, ajo iu fut punës pa u ankuar kurrë. Edhe pse shumë e re në moshë, Shahe Leka punoi në ndërtim, një sektor që atëherë konsiderohej punë burrash, pasi ishte mënyra e vetme për të siguruar të ardhura më të mira. Pas shtatë vitesh pune të rëndë, ajo arriti të marrë kategori të lartë dhe të paguhej më shumë se shumë punëtorë të tjerë.

Gjatë gjithë jetës së saj, ajo ka kryer çdo lloj pune të rëndë në ndërtim deri te prodhimi paneleve për soleta dhe hapja e kanaleve, te puna në bujqësi, korrja e grurit dhe misrit, ruajtja e bagëtive, vaditja e tokës dhe transportimi i barrëve të rënda në kurriz. “Punoja pa reshtur dhe me punë i rrita fëmijët,” tregon ajo, duke theksuar se nuk ka pasur kurrë frikë nga puna.

Sot, në moshën 91-vjeçare, Shahe Leka vazhdon të punojë çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë. Ajo fatmirësisht gëzon shëndet të mirë, ka kujtesë të fortë dhe energji për t’u admiruar. Sipas saj, sekreti i jetëgjatësisë është puna fizike dhe jeta e thjeshtë. Edhe pse gjatë jetës e ka stërmunduar veten në punë të rënda dhe ka konsumuar në mënyrë të moderuar alkool dhe duhan, ajo thekson se asnjëherë nuk i ka vënë këto zakone përpara punës dhe disiplinës.

Shahe Leka është sot një trung i madh familjar. Ajo është 27 herë gjyshe dhe stërgjyshe dhe gjatë jetës së saj ka martuar 22 nipa, mbesa dhe nuse, duke lënë pas një familje të madhe dhe të respektuar në zonë.

Në rrëfimin e saj, 91-vjeçarja shpreh edhe shqetësimin për zbrazjen e fshatit dhe largimin e të rinjve drejt qyteteve dhe emigracionit. Sipas saj, fshati nuk duhet braktisur, pasi puna në bujqësi dhe blegtori mund të sigurojë një jetë të mirë. Ajo kujton me nostalgji kohët kur punohej shumë, respektohej ligji dhe detyrimet ndaj shtetit shlyheshin me ndershmëri.

Shahe Leka ka përjetuar Luftën e Dytë Botërore, komunizmin dhe demokracinë, duke parë ndërtimin dhe shkatërrimin e uzinave, fabrikave dhe reparteve ushtarake. Një jetë e vështirë, por e ndershme, që sot shërben si një mësim i fortë për brezat e rinj.

Historia e saj nuk është thjesht një lajm i bukur , por një dëshmi e gjallë për forcën e gruas shqiptare dhe për vlerën e punës si themel i jetës dhe shëndetit.

Nënë Shahe, na tregoni pak për origjinën dhe fëmijërinë tuaj.

Kam lindur më 20 gusht 1935 në fshatin Babje të rrethit të Librazhdit, në familjen Balla, një nga familjet më të mëdha dhe më të njohura të zonës. Fëmijëria ime ka qenë e vështirë, ishte koha e Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë arrita të përfundoja katër klasë shkollë me rezultate të mira.

U martuat shumë herët. Si e kujtoni atë periudhë?

U martova kur isha vetëm 13 vjeçe, kur pushtetin në Shqipëri e kishin marrë komunistët. U martova në fshatin fqinj Spathar me Kadri Lekën, nga një familje po aq e njohur sa edhe e imja . Kështu ishte koha, askush nuk pyeste për moshën.

Kur u bëtë nënë për herë të parë?

Në moshën 15-vjeçe u bëra nënë për herë të parë. Jeta ime mori përgjegjësi shumë herët.

Humbja e bashkëshortit ishte kthesë e madhe në jetën tuaj…

Po. Në moshën 25-vjeçe mbeta e ve, ndërsa isha shtatzënë. Burri im, Kadri Leka, ndërroi jetë shumë i ri. Në atë kohë kisha tre fëmijë të mitur ,dy djem një dhe katër vjeç dhe një vajzë 8 vjeçe. Fëmija i katërt erdhi në jetë disa muaj pas vdekjes së të atit dhe mban emrin e tij.

Si ia dolët të përballonit jetën e vetme me katër fëmijë?

Ishte shumë e vështirë. Kushtet ishin të rënda në çdo aspekt. Pa mbështetje, pa ndihmë, u futa menjëherë në punë. Edhe pse isha e re në moshë, isha nënë e katër fëmijëve dhe nuk kisha zgjidhje tjetër.

Duket e pabesueshme por ju keni punuar edhe në ndërtim, një punë që atëherë quhej “punë burrash”.

Po, kam punuar në ndërtim sepse ishte puna më e paguar. Edhe pse ishte punë e rëndë, unë e bëja. Pas shtatë vitesh mora kategori të lartë pune dhe paguhesha më shumë se të tjerët.

Çfarë punësh të tjeta keni bërë gjatë jetës suaj?

Kam bërë çdo lloj pune pa u ankuar ,ndërtim, panele për soleta, hapje kanalesh, punim toke me bel, korrje gruri e misri, ruajtje bagëtish, vaditje, transport plehu dhe barrësh me dushk në kurriz. Punoja pa pushim dhe me punë i rrita fëmijët.

Shpesh thoni se jeni treguar “burrneshë”. Çfarë do të thotë kjo për ju?

Do të thotë të mos dorëzohesh, të mos ankohesh dhe të bësh çdo punë me nder. Nuk kam pasur frikë nga puna, sado e rëndë të ishte.

Sot jeni 91 vjeçe. Si është jeta juaj sot?

Edhe sot punoj çdo ditë, nga mëngjesi deri në darkë. Puna është shëndet. Puna është si gjimnastikë për trupin. Nuk i jam ndarë kurrë punës fizike.

Si është shëndeti juaj në këtë moshë?

Jam shumë mirë. Nuk më dhemb asgjë ,as këmbët, as koka, as trupi. Kujtesën e kam shumë të fortë. Vetëm sytë pata pak shqetësim, por bëra një ndërhyrje në Tiranë dhe sot jam shumë mirë.

Gjatë jetës suaj keni konsumuar edhe alkool e duhan. Si e shpjegoni shëndetin e mirë?

Po, kam pirë ndonjë gotë raki dhe kam tymosur cigare, por gjithmonë pa tepri. Edhe sot që jam 91 vjeçe e tymos duhanin dhe e kthenj një gllënjkë raki të mirë.Kurrë nuk i kam lënë pas dore punët. Sekreti i jetës sime nuk janë këto zakone, por puna e përditshme, jeta e thjeshtë dhe disiplina.

Sot ju jeni një trung i madh familjar. Na tregoni për familjen tuaj.

Jam 27 herë gjyshe dhe stërgjyshe. Gjatë jetës sime kam martuar 22 nipa, mbesa . Është krenaria ime më e madhe që kam lënë pas një familje të madhe dhe të ndershme.

Si e shihni sot fshatin dhe rininë?

Më vjen shumë keq që fshati po zbrazet. Të rinjtë ikin në qytet dhe jashtë. Nuk duhet ta braktisin fshatin. Po të punojnë këtu, jeta është e bukur. Me blegtori do të ishin milionerë.

Ju keni përjetuar luftën, komunizmin dhe demokracinë. Çfarë mendimi keni?

Kam parë shumë. Dikur punohej shumë dhe respektohej ligji. Në demokraci u bënë edhe gjëra të mira, por pati edhe shkatërrime të mëdha të uzinave,fabrikave , reparteve ushtarake e çdo gjë tjetër që ishte pasuri e shtetit dhe e të gjithëve.

Si e shihni jetën e të moshuarve sot, veçanërisht ata që jetojnë në fshat dhe shpesh ndihen të braktisur për shkak të emigracionit të të rinjve?

Më vjen shumë keq për këtë. Shumë të moshuar janë vetëm jo vetëm në fshatin tim por kudo , sepse fëmijët dhe të rinjtë ikin në qytet ose jashtë vendit. Në kohën time, pleqtë respektoheshin dhe ndihmoheshin nga familja dhe komuniteti. Sot nuk ndodh gjithmonë kështu, por unë mendoj se secili duhet të gjejë forcën tek puna dhe rutina e përditshme. Edhe në këtë moshë, punë e thjeshtë, kujdesi për tokën, bagëtitë dhe aktivitetet e vogla të mbajnë të gjallë dhe të fortë shpirtërisht dhe fizikisht.

Një mesazh për brezat e rinj?

Rinia e sotme nuk e ka gjithë fajin, por duhet të mësojë të punojë. Puna të mban gjallë, të mban të shëndetshëm dhe të jep dinjitet.Sa më karg drogës e alkoolit .Më shumë dashuri për familjen, prindërit e gjyshërit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME