Tregu i automjeteve elektrike në Shqipëri po shënon rritje të qëndrueshme vit pas viti.
Të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR) konfirmojnë një dinamikë të fortë rritjeje sidomos gjatë dy viteve të fundit.
Sipas DPSHTRR, nga viti 2019 deri në tetor 2025 janë regjistruar 10,990 mjete plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje prej 72% krahasuar me vitin 2024. Kjo tregon se qytetarët po orientohen gjithnjë e më shumë drejt alternativave më ekologjike.
Rritje të ndjeshme ka pasur veçanërisht tek autoveturat e reja.
Gjatë janar–tetor 2025, 42,4% e makinave me kilometrazh zero të regjistruara janë elektrike, një shifër që përbën rritje me 62% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
DPSHTRR njofton se në dhjetëmujorin e këtij viti janë regjistruar 16,529 mjete me moshë 0–4 vjeç, 61% më shumë se në vitin 2023, ndërsa në total janë regjistruar për herë të parë 82,814 mjete, pothuajse dyfishuar (+99%) krahasuar me vitin 2019. Prej tyre, 67,603 janë autovetura, ose 81.6% e totalit.
Përveç rritjes së numrit të mjeteve, po ndryshon edhe origjina e automjeteve që hyjnë në vend.
Vetëm gjatë tetorit 2025, pjesa më e madhe e makinave të reja kanë ardhur nga:
Republika e Koresë 21,4%, Italia 15,5%, Gjermania 15,5%, Kina 8,7%, Zvicra 8,4%, SHBA 8%.
DPSHTRR vlerëson se rritja e kërkesës për mjete elektrike është e lidhur me ofertën gjithnjë e më të gjerë të modeleve elektrike, kostot më të ulëta të përdorimit dhe orientimin e qytetarëve drejt mjeteve më të reja dhe më efikase.

