Më 1 tetor 1991 u hap në Tiranë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike pas një shkëputjeje 52-vjeçare të Shqipërisë nga Perëndimi. Në cilësinë e të Ngarkuarit me Punë “ad interim” ishte Christopher Hill, i cili u pasua nga ambasadori William Edwin Ryerson, i cili ia paraqiti kredencialet qeverisë shqiptare më 21 dhjetor 1991.
Tre muaj më vonë, sekretari amerikan i Shtetit, James Baker, vizitoi Shqipërinë, duke forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Ky hap erdhi pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit, që parashikonte gjithashtu çeljen e ambasadës shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, organika e ambasadës përfshinte një ambasador të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, dy diplomatë dhe dy punonjës teknikë (shifranti dhe shoferi), me shtimin e pesë punonjësve në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Shpenzimet për hapjen dhe funksionimin e ambasadës, përfshirë pajisjet dhe autoveturat, ishin 270 mijë dollarë, të përballuara brenda planit të miratuar për vitin 1991.